Telegrafi

Dy mësuese në Fushë Kosovë dalin pozitiv në COVID-19

Dy mësimdhënëse në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë kanë rezultuar pozitiv në COVID-19, pas testimit të obliguar nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani.

Shabani ka thënë se mësueset janë izoluar, dhe se procesi mësimor do të vazhdojë normalisht.

“Pardje janë testuar kurse dje e kemi marrë rezultatin dhe dy mësueset që kanë rezultuar pozitiv menjëherë janë dërguar në shtëpi në izolim. Mësimi do të vazhdojë sepse do të dërgojmë zëvendësimet në ato dy klasa ku mësueset kanë dalë pozitiv”, ka thënë Shabani.

Shabani ka thënë se në këtë shkollë janë testuar 50 mësimdhënës dhe nga ta vetëm dy mësueset në fjalë kanë rezultuar pozitiv.

Ai më tej ka thënë se nuk beson që mësueset të kenë pasur kontakt me nxënësit pasi që në klasë kanë mbajtur distancën dhe maskat.

“Nuk besoj që kanë pasur kontakte, sepse mësueset kanë mbajtur distancë në klasë dhe kanë qenë me maska sikurse edhe nxënësit”, u shpreh Shabani. /Telegrafi/