Titulli i sotëm, është me bisht, qysh i thonë fjalës. Ministri, i pamësuar me u kacavjerr në dritare, u bë vet i dyti, aty. I pamësuar me veprime të tilla luftarake, ngjarja rrodhi pak a shumë kështu: bam ai, e bam ky. Bam-bam ai, e bam-bam ky. Historia, dhe mediat, thonë se Avni Rrustemi ia shkrepi në Paris, e Dardani në Malishevë. Edhe Samiu. Për komandanti nuk po flasim, se ai i gishtit ka qenë, është dhe krejt gjasat janë se i tillë do të mbetet. Kur flet në telefon, di edhe me sha rëndë. Por, është temperament. Diqysh edhe hije i ka me sha. Më e rëndësishmja, për momentin nuk bart ndonjë përgjegjësi publike dhe s’ki qysh kërkon llogari. Atë as që e kanë përmend aq shumë mediat, se diqysh i shkon edhe për fytyre me qitë allti. Ka qitë edhe kur ka qenë koha. Pastaj, ai e di edhe ku ulet. Nuk qohet ai me ecë me vrull nëpër shtroja të odes e me marrë në thua, e me marrë në qafë ndokënd pa mbërri te dritarja.
Falë Zotit dhe arsyes së ftohtë e të zotit të “dasmës”, revolverët qëlluan të kenë qenë lodra për fëmijë, aso me gaz, se përndryshe mund të ndodhte fare lehtë që të binte ndokush nga maja e dardhës apo ndonjë pemë tjetër, duke pasur parasysh se po shtinin përpjetë.
Dikur Avniu, në Paris, ja bani “bam-bam” dhe hyri në histori duke thënë vetë me vete,“bani në paçi çka me ba”! Pastaj, trimat qashtu e kanë. Nuk fshihen. Bëjnë “bam” e drejt e në këngë me sharkia. Nganjëherë ende pa ja bë “bam”, aty i ke, se sharkia tjetër punë nuk ka, por si të bën diku bam, ja nisë me u nxeh telash. Pritet veç teksti i këngës, i cili pastaj ndodhë ashtu si e kanë menduar strategët e fushatave online. Por, nuk është krejt puna te sharkitë. Sot në histori futesh edhe pa sharki e pa çifteli. Ka repera që të fusin në histori. Nëse të gjithë dështojnë, është edhe Linda e cila nuk dështon. Kurrgjë mos daltë prej asaj pune, së paku Fecebooku të kapë.
Avni Rrustemi, Selman Kadria, Zhuj Selmani… krejt rreshti i gjatë, i gishtit, avullojnë në kokat e dehura nga hareja. “Kem histori, e kem traditë”, thotë edhe kryeministri, e besa për me ja majtë krahun pak, duhet me pranua se edhe historia u çmend e nuk po ndien për kërkon, se po vazhdon me të veten. Fukujama nuk ishte kurrkah kur tha se e njëjta, pra historia, ka marrë fund. Po çfarë fundi!? Po rilind. Ne nuk prodhojmë asgjë tjetër përpos histori. Ne jetojmë me histori. Jemi kapur për historie, se tash po luftohet me armë të tjera. Bam-Bam.
Nejse, bam-bam-bam foli revolveri me gaz, në Malishevë! Foli tanë natën plot mllef, plot krenari, plot gëzim. Policët dhe gjykatësit nuk u bënë të gjallë; ata duhet të kenë festuar tjetërkund, në tjetër kafene apo odë. U bë shumë mirë që nuk qëlluan asajde, se nuk di njeri as çka me ba kur shteti çmendet prej gëzimi. E qysh mos me u çmend: dje në bankë të akuzuarve, sot në penxhere me allti në dorë. Edhe avokatët kishin festë, por lëri ata të festojnë në heshtje, se ata janë të vetmit fitimtarë në këtë mesele.
Kështu, trimat ndërroheshin në penxhere dhe po zbraznin qiellit një pjesë nga vetja e tyre, e mbushur plot me ndjenjën e fuqisë së pafrenuar me asgjë. Ishin këto krisma krejtësisht të pafajshme për gëzim, qysh e kemi ne traditë me e shpreh gëzimin në këtë vend fatkeq, të izoluar dhe të dëshpëruar. Dorën në zemër, përpara kur dikush lirohej nga burgu, kur e dinim saktë se ishin të pafajshëm, nuk e kishim traditë me qitë pushkë, por sidoqoftë gëzoheshim e mbase edhe këndonim nën zë ndonjë këngë për hapsanet e krajlit a mretit. Thuaj në dash mbret, në dash princ, njësoj i bie.
Po të mos ishin tri krisma, katër apo dyzet, se nëpër tym baroti kush numëronte, titulli i këtij shkrimi do të asoconte me filmin e njohur dhe mesazhin historik. Por, këto krisma nuk kishin asgjë të përbashkët me këtë film, përpos erës së barotit. Nuk duket të kenë pasur as mesazh. Thjesht, ministrat në vend se të ja bëjnë bam me ndonjë projekt suksesi, i treguan popullit punëtorë të Malishevës se kush janë dhe se s’ka kush çka u bën. Bam!
Gëzimi ishte i madh dhe atë e pa krejt bota jonë e vogël! Sot, mund të jesh, prapa shpinës së Zotit, por mjafton të kesh veç një qasje në rrjet, dhe mundesh me u shpreh.
Tash, me dashtë me u marrë me cikërrima, ligjin e kanë shkelë ministri, komandanti e shumë të tjerë aty. Por, çka me i bë traditës. Pastaj, kur çmendet shteti, nuk ke çka bën edhe me dashtë.
Tash, pse me ba të madhe? Mbase edhe ligji do të ndërrohet. Atëherë më nuk do të jetë e paligjshme me hap zjarr nga dritarja e kullave. Nuk ka gjë, se mundet me u vra ndonjë kalimtar i rastit, se ka bë vaki ashtu në traditën tonë të lavdishme. Për ndonjë plagosje të lehtë a të rëndë, apo frikësim të qytetarëve nuk duhet as llaf me e bë. Qytetarët tonë nuk frikësohen lehtë. Por, ma e keqja, inshallah nuk ndodhë, është se mundet me u vra ndonjë qen endacak dhe do na bjerë në qafë krejt Evropa me shoqatat për mbrojtjen e shtazëve. Për gjenocid nuk bëhet e madhe në Ballkan, se është traditë. Por, çfarë faji kanë qenët endacakë?
Është rrethanë e favorshme se qytetarët tanë trima, janë mësuar mos me u kujdes kush për ta. Kështu, kur gëzohet paria, ata nuk dalin përjashta nëse nuk janë të ftuar në aheng. As nuk hipin në dardhë. Bam- bam…