Banorët e Houstonit, SHBA, ditëve të fundit janë përballur me një situatë të vështirë kur vendi i tyre është goditur nga uragani “Harvey”.
Si pasojë, aty vazhdon të mbretërojnë edhe më tej një gjendje e rëndë.
Në media janë publikuar situata të ndryshme në të cilat paraqiten banorët duke u ballafaquar në mënyra të ndryshme me situatën.
Në ndërkohë është publikuar edhe një video në të cilën thuhet se shihen dy kosovarë duke i ndihmuar banorët e Houstonit, përcjell Telegrafi.
“Sot, me Mentor Fejzullahun asistuam popullsinë lokale me evakuim në Enclave Parkway dhe Bayou Parkway. Kjo është një zonë e përmbytur”, ka shkruar Betim Osmani, në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale.
Rreth këtij akti të kosovarëve, gjegjësisht njërit prej tyre, ka shkruar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Njihuni me Mentor Fejzullahun. Ai erdhi në Amerikë pas luftës në Kosovë. Ai jeton në Houston, Texas. Houstoni është duke u përballur me një sfidë të vështirë për shkak të uraganit Harvey. Si gjithmonë, katastrofat e këtyre përmasave arrijnë të shfaqin më të mirën që ka për të ofruar njerëzimi, guximin dhe solidaritetin. Kujdesuni për njëri-tjetrin”, ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook.
Por kjo nuk është e vetmja gjë që i ka bërë përshtypje Çitakut.
Ajo ka shkruar më tej: “Mentori këto ditë të fundit ka qenë vullnetarë për të shpëtuar njerëzit. Dhe kur sot fola me të nuk më tha asgjë. Njerëz të tjerë nga Houston më treguan. Nuk mund të isha më krenare për Mentorin”. /Telegrafi/