Telegrafi

Dy koncepte të ndryshme në bisedimet e Vjenës

Pas takimit, kryeministri Agim Çeku tha se oferta e Beogradit për statusin e Kosovës është kthyer kah e kaluara, dhe shtoi se "këtu bisedohet" për të ardhmen e Kosovës, Serbisë dhe rajonit. Çeku tha se palët janë larg njëra-tjetrës, sepse Serbia e propozon statusin e mëparshëm, e jo statusin e ardhshëm të Kosovës.

"Kemi dy koncepte të ndryshme, njëri i lidhur me të kaluarën, tjetri me të ardhmen", tha Çeku. "Rezultati i asaj që ofrojnë është shumë më i keq se sa ajo që u është ofruar me paketën Ahtisaari. Ende kanë kohë ta pranojnë planin e Ahtisaarit si zgjidhjen më të mirë të mundshme", tha Çeku, duke i bërë thirrje Beogradit të mos shohë prapa por kah ardhmëria, dhe të mësojë nga e kaluara.

Çeku tha se Prishtina dhe Beogradi nuk duhet të dakordohen rreth pavarësisë, sepse ajo tashmë është shqyrtuar dhe mbështetur nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare. "Ajo që ne ofrojmë është që të zhvillojmë marrëdhënie normale", tha Çeku.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq tha se takimi i ardhshëm i Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet më 5 nëntor në Vjenë. "Mendoj se pas këtij raundi mund të themi se procesi vazhdon", tha Jeremiq, duke shtuar se bisedimet e sotme në Vjenë me palën shqiptare ishin të vështira.

Ai tha se pala serbe ka shprehur rezerva ndaj disa prej 14-pikave, të cilat i prezantuan ndërmjetësuesit e treshes ndërkombëtare. "Ne shprehëm bindjen tonë të plotë se nuk mund të vazhdojmë procesin drejt gjetjes së kompromisit, nëse njëra palë kërcënohet me zgjidhje të njëanshme", tha Jeremiq. /Evropa e Lirë/