Dy kompanitë e kontraktuara për lobim në SHBA nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës kanë kontaktuar, në shumicën e rasteve, të njëjtët politikanë amerikanë për të diskutuar për çështjet e njëjta në po të njëjtat ditë.
Avni Mustafaj – pronar i kompanisë Ambal LLC – dhe Afërdita Rakipi – pronare e kompanisë Afërdita Rakipi Communications – ishin kontraktuar individualisht, me nga 147 mijë euro, sipas kontratave të publikuara në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Megjithatë, nga shkurti deri në fund të korrikut të këtij viti, ata kanë funksionuar sikur të ishin një kompani e vetme. Nga 13 kontaktet e raportuara nga Mustafaj, të gjitha janë identike me ato të raportuara nga Rakipi.
Përveç këtyre, Rakipi ka raportuar edhe dy kontakte shtesë – një takim më 11 mars dhe një takim më 24 maj.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Rakipin dhe Mustafajn lidhur me aktivitetet e tyre, por nuk ka marrë përgjigje prej asnjërit deri në publikimin e këtij artikulli.
Mustafaj dhe Rakipi janë kontraktuar nga MPJD-ja për lobim në SHBA më 26 qershor të vitit të kaluar. Kontratat e tyre njëvjeçare tashmë kanë skaduar.
Në korrik të vitit të kaluar, MPJD-ja ka thënë se nuk i komenton kontratat e lobimit “për arsye të kuptueshme”.
Megjithatë, kontratat, detajet lidhur me punën e bërë dhe shpenzimet e lobuesve në SHBA publikohen në ueb-faqen e FARA-s çdo gjashtë muaj.
Sipas këtyre dokumenteve, MPJD-ja pagoi kompanitë e Rakipit dhe Mustafajt plot 351.8 mijë dollarë – ku përfshihen edhe shpenzime shtesë, përveç shumës së paraparë në kontratat fillestare.
Në gjashtëmujorin e dytë të lobimit të tyre në SHBA, Rakipi dhe Mustafaj kontaktuan politikanë amerikanë kryesisht përmes emailit.
Megjithatë, dokumentet tregojnë se edhe gjatë kohës sa kanë lobuar përmes emailit, ata kanë raportuar shpenzime për fluturime dhe qëndrime nëpër hotele.
Për dallim nga gjashtëmujori i parë, kur Rakipi dhe Mustafaj kishin raportuar shpenzime të shumta për dreka dhe darka pune – përfshirë nëpër restorante në Prishtinë – këtë herë ata nuk kanë raportuar shpenzime për ushqim.
Ata kanë shpenzuar mijëra dollarë për fluturime, hotele dhe transport me taksi. Nga dokumentet e publikuara në FARA bëhet e qartë se Mustafaj sërish ka shpenzuar para gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
As Mustafaj e as MPJD-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it se si kanë shërbyer këto aktivitete në Kosovë, duke pasur parasysh që kontratat e lobimit parashohin ofrim të këshillave dhe përfaqësim të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.
Përveç shpenzimeve, datave dhe kontakteve, në dokumentet e FARA-s, Rakipi dhe Mustafaj specifikojnë edhe qëllimet e takimeve të tyre.
Përderisa shumë prej tyre janë raportuar thjesht si diskutime për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së dhe ngjarjeve aktuale, në disa raste ata kanë shprehur kritika lidhur me qëndrimet e përfaqësuesve politikë të SHBA-së.
“Është theksuar se ndëshkimi i Kosovës për masat e saj të sigurisë e minon qeverisjen e saj, ia dobëson pozitën negociuese me Serbinë dhe ia rrezikon aspiratat euro-atlantike. Është bërë thirrje për mbështetje të SHBA-së ndaj Kosovës si aleat kyç, në vend të kritikave publike dhe kufizimeve ekonomike”, thuhet mes tjerash në dokumentet e Rakipit dhe Mustafajt.
Qëndrime të ngjashme kanë shprehur edhe pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ndaj kritikave të SHBA-së dhe BE-së për aksionet e ndryshme në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshjet për lobim ishin nënshkruar pikërisht në një kohë tensionesh në këtë pjesë të Kosovës, kur banorët lokalë serbë po protestonin kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.
Kush janë Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj?
Dhjetë vjet më parë, Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, është etiketuar nga Gërvalla në një sfidë leximi, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
Mustafaj, i lindur në Nju Jork të SHBA-së, ka qenë person kyç në Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), si dhe anëtar i organizatës Germin në Kosovë, që merret kryesisht me çështje të diasporës.
Mustafaj ende figuron si anëtar i bordit në Germin, organizatë ku bashkëthemeluese ka qenë Liza Gashi, tani zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas përshkrimit të dhënë nga Germin, Mustafaj ka udhëhequr delegacione amerikane të kongresmenëve në negociatat për çështjen e Kosovës në Rambuje të Francës, më 1999. Aty ka marrë pjesë edhe Rakipi, e cila gjithashtu ka qenë pjesë e NAAC-it.
Në mars të vitit 1999, të dy ata kanë marrë pjesë në një takim me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2012, Mustafaj, si drejtor ekzekutiv i NAAC-it, është takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.
Kosova edhe në të kaluarën ka pasur kontrata lobimi. Që nga viti 1992, parti politike e institucione qeveritare kanë shpenzuar miliona euro për lobim në SHBA.
Mirëpo, në shumicën e rasteve, të kontraktuara për lobim kanë qenë kompani të njohura amerikane për lobim, si Podesta Group dhe Ballard Partners.