Kalimi i Vedat Muriqit nga Fenerbahce te Lazio për 18 milionë euro, me sulmuesin e Kosovës që nënshkroi kontratë pesëvjeçare me një pagë prej dy milionë eurosh në sezon, ka gëzuar pamasë jo vetëm futbollistin e përfaqësueses dardane, por edhe dy klube shqiptare.
Nga transferimi i sulmuesit te klubi italian kanë mbushur arkat edhe Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës.
Dy klubet e përmendura ndikuan në rritjen si futbollist të 26-vjeçarit, i cili përpara se të transferohej në Turqi te Giresunspor në sezonin 2013/2014 u aktivizua fillimisht me Teutën dhe më pas u huazua te Besa.
Duke iu referuar Panorama Sport (transmeton SS), nga 18 milionët që mori, Fenerbahce 270.000 euro do t’i derdhë në arkat e Teutës, ndërsa 90.000 euro të tjera do të shkojnë për Besën e Kavajës, shifra të majme këto për buxhetin e dy klubeve shqiptare.
Ndryshe, krahas Giresunspor dhe Fenerbahce, Muriqi në Turqi ka luajtur edhe te Genclerbirligi dhe Rizespori, ndërsa rrjedh nga shkolla e futbollit e Lirisë së Prizrenit.
https://twitter.com/OfficialSSLazio/status/1305946624322142209