Këshilli i prokurorëve publik ka dhënë mendim pozitiv për dy kandidatë nga lista prej 23 juristëve të cilët aplikuan në konkursin e shpallur për Kryeprokuror të shtetit.
Sipas informatave jozyrtare, të publikuara nga sudtsvo.mk, përparësi kanë anëtari aktual i Këshillit për prokurorë publik, Ljupço Jovevski, si dhe Elena Andreevska, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Sipas ligjit, Qeveria në seancën e saj duhet të shqyrtojë kandidaturat dhe mendimet nga Këshilli i prokurorëve publik dhe duhet të sjellë vendim për njërin prej kandidatëve. Më pas, ai vendim përcillet në Kuvend si propozim-zgjidhje, së bashku me mendimin e Këshillit të prokurorëve publik. Për emërimin e prokurorit publik, Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
Mandati i kryeprokurorit shtetëror është në kohëzgjatje prej gjashtë vitesh, me të drejtë për rikandidim.
Kryeprokurori i ri shtetëror duhet të vijë në vendin e Marko Zvërlevskit, i cili u shkarkua më 17 gusht të këtij viti në Kuvendin e RM-së, ndërsa deri në emërim të kryeprokurorit të ri, ushtrues detyre është Liljana Spasovska./Telegrafi/