Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për tri mjeket e spitalit të Gjinekologjisë së Gjilanit, Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kasumi.
Kolegji penal i kësaj gjykate ka refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
“Të pandehurat M.Sh. dhe H.Z. po dyshohen se kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje: Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Mosdhënie e ndihmës mjekësore nga neni 261 i të njëjtit ligj. Ndërsa e pandehura e tretë po dyshohet se ka bashkëvepruar me to në veprën penale: Mosdhënie e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit e cila vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur të pandehurave ua a ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.