Site icon Telegrafi

Me dy fakultete e dy mastera, Siana Ahmeti zgjodhi punën në Polici: Do ta bëja sërish të njëjtën gjë

Siana Ahmeti është një nga ekselentët e punësuar në Policinë e Shtetit. E diplomuar në dy fakultete, me dy mastera brenda dhe jashtë Shqipërisë, Siana ushtron profesionin në departamentin e Krimit Ekonomik në policinë e kryeqytetit.

”Dëshira fillestare ka qenë dëshira e familjes time, sepse nuk kanë pasur qejf që pas studimeve unë të jetoja jashtë shtetit. Mund të them që aplikimin nuk e kam bërë unë por im at për herë të parë me konsensusin tim dhe mendova po jap një provë. Mu duk intriguese që persona nga jeta civile të trajnoheshin në policinë e shtetit. Nëse do më pyesni a do ta bëja prapë këtë zgjedhje, sot do të thoja po”, thotë Siana.

E ardhur nga jeta civile, Sianës iu desh trajnim një vjeçar në Akademinë e Policisë, aty ku jeta ishte shumë dinamike me disiplinë ushtarake dhe leksione e seminare.

”Asnjë nuk mund të thotë se zgjohem me qejf në orën 5 për të vrapuar apo për të rregulluar shtratin por ajo gjë më bëri mirë dhe na mobilizonte  për të vazhduar ditën”, thotë Siana.

Sa i përket përshtatshmërisë në punën e përditshme, Siana thotë se, ka gjetur kolegë humanë dhe shumë profesionalë.

”Kam pasur shumë të lehtë vetë ambienti që kemi gjetur këtu përtej uniformës që duket sikur është e rreptë. Tek e fundit janë njerëz, shumë të shoqërueshëm, miqësor”, thotë ajo.

Për të rinjtë, Siana ka edhe një mesazh, që ata ti bashkohen uniformës së Policisë dhe të aplikojnë deri më 15 shtator.

”Unë do ta sugjeroja si një zgjedhje pa ngurrim, përveçse të aftëson si njeri të jep shumë vet besim tek vetja”, thotë Siana./RTSH

Exit mobile version