George Salt nga Mançesteri nuk ka mundur të besojë që për plotë 30 vite kishte qarë para varrit të gabuar, duke menduar se është i bijës së tij – e gjitha ndodhi për shkak se guri i varrit ishte vendosur në vendin e gabuar.
Vajza e tij Victoria dy ditë pas lindjes kishte ndërruar jetë në gusht të vitit 1988. Atë e kishte varrosur në varrezat e Mançesterit, transmeton Telegrafi.
Për plotë 30 vite e kishte vizituar varrin e saj nga dy herë në vit. Megjithatë, gjatë herës së fundit, e kishte kuptuar se guri i varrit po mungonte pasi ishte vendosur në varrin ku ajo vërtetë ishte varrosur.
“Shikova poshtë dhe mbeta i shokuar. Pyeta veten se ku ka mbetur guri”, ka deklaruar Salt.
Për shkak të një gabimi të bërë, guri i varrit ishte vendosur gjatë viteve të ’80-ta në një varr të thatë ku nuk kishte as arkivol.
Ky gabim është zbuluar sivjet kur punëtorët e varrezave kontrolluan dokumentet, dhe kështu e zhvendosën gurin ku është dashur të vendoset shumë vite më parë.
“Askush nuk më ka treguar për këtë, po ndihem i tradhtuar. Kur shkoni te varri i dikujt, uleni pranë dhe bisedoni për çfarë po ju mundon. Por unë kam folur me tokën, ku askush nuk ishte nën të”, ka shtuar Salt.
Autoritetet lokale të Mançesterit i kanë kërkuar falje burrit që kishte menduar se po viziton varrin e bijës. /Telegrafi/