Site icon Telegrafi

Dy dëshmitare tregojnë nëse drejtoresha e një shoqate përvetësoi para të bamirësisë

Ish-kontabilistja e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Mirsade Hasani-Jashari dhe motra e saj, kontabilistja aktuale e kësaj organizate Sejrane Hasani, kanë deklaruar se drejtoresha e OJQ-së, Edita Dula, nuk ka keqpërdorur me paratë e bamirësisë.

Dula akuzohet se gjatë viteve 2016 – 2017, si drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar 1.488.90 euro të kësaj organizate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitarja Mirsade Hasani-Jashari, tha se ajo ka punuar në këtë organizatë si kontabiliste, nga fillimi i vitit 2016, e deri në përfundim të vitit 2017, dhe se ka kryer të gjitha punët e kontabilitetit.

“Si në çdo organizatë është mbajtur hyrja, dalja, shpenzimet, evidenca e mjeteve se ka kanë shku, qarkullimet vjetore të deklaruara në ATK, qiraja mujore, tatimi mbi qiranë. Këto janë detyrat e parapara sipas rregullores së kontabilitetit dhe këto punë i kam bërë në këtë shoqatë”, tha dëshmitarja.

Ajo tha se paratë e dhuruara kanë qenë të regjistruara në librin e hyrjes, si mjetet me të cilat janë blerë ushqim dhe të gjitha hyrje-daljet e donacioneve janë evidentuar në evidencat e organizatës edhe pse në disa raste kur janë tërhequr para, sipas saj, nuk është përshkruar arsyeja e tërheqjes.

“Jam e sigurt se çdo deponim dhe tërheqje është evidentu me faturë. Ne i posedojmë këto libra dhe mund t’i dorëzoj. Edita kur ka tërheq para nga llogaria ka bërë gabim që se ka bërë përshkrimin e tërheqjes, çka ka shkaktu dyshim për disa anëtare të tjera të organizatës, por pastaj Edita më ka thënë se këto para duhet t’ia paguash punëtorëve që e kanë ly objektin, për shembull”, tha dëshmitarja Hasani-Jashari.

Duke iu përgjigjur prokurorit Rafet Halimi, dëshmitarja tha se ajo ka dashur që të bëjë raportimin e kontabilitetit për të gjithë anëtarët e organizatës, por në një mbledhje, ajo tha se ato janë larguar dhe nuk kanë dashur të dëgjojnë sqarimet e saj.

Sipas saj,  ish-aktivistet e organizatës e kanë raportuar Dulën për dyshime për keqpërdorime, por siç tha ajo, pretendime të tilla nuk janë të vërteta, por se këtë e kanë bërë për të qenë ato në udhëheqje të organizatës.

“Versioni jem është se ato kanë dashur të jenë në krye të shoqatës. Pasi është bërë akuza ku më ka informu Edita, për këtë shumë të mjeteve që është tërheq nga llogaria sipas anëtares së OJQ-së janë keqpërdor, por me rishikim të dokumentacionit mos kemi gabu diku në kalkulim, kemi vërtetu se mjetet e tërhequra janë tërhequr për familjet skamnore dhe shpenzimet operative të OJQ-së”, tha ajo.

Edhe dëshmitarja tjetër Sejrane Hasani, tha sa jo ka filluar punën e kontabilistes në këtë OJQ, në fillim të vitit 2018.

Dëshmitarja Sejrane Hasani, u përgjigj vetëm në disa pyetje të mbrojtësit të Dulës, avokatit Asdren Hoxha, pasi prokurori Rafet Halimi, tha se dëshmia e kësaj dëshmitare është e parëndësishme duke marrë parasysh se ajo nuk ka punuar në kohën për të cilën ngarkohet Dula.

Ajo në dëshminë e shkurtës të saj deklaroi se kur ajo ka filluar të punojë, nuk ka gjetur keqpërdorime apo ndonjë parregullsi në financat e organizatës, pasi sipas saj, ka pasur evidentim të shitjes së gjerave, e po ashtu edhe fatura të blerjes së ushqimeve

Ndryshe, seanca e radhës në të cilën do të jepet mbrojtja e së akuzuarës është caktuar më 6 shtator 2019, në ora 14:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria më 5 dhjetor 2017, Edita Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar 1.488.90 euro të kësaj organizate.

Prokuroria po pretendon se nga shuma e përgjithshme, Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ – së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Tutje, përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version