Në Koxhaj të Kaçanikut, dy dekada më parë, humbën jetën 5 fëmijë dhe dy të tjerë u plagosën, nga një mjet shpërthyes që forcat serbe e lanë në këtë fshat. Isak Koxha, kujton momentet se si i vdiq i biri i tij 15 vjeçar në duart e tij, pa pasur mundësi të bëjë diçka për të.
Janë nisur drejt varrezave. E në duar mbajnë fotografitë e 5 fëmijëve që humbën jetën në pranverën e vitit 1999. Krisma e madhe e mjetit shpërthyes edhe pas 20 vitesh, qëndron në kokat e familjareve të fshatit Koxhaj të komunës së Kaçanikut.
Isak Koxha, kujton momentet se si e gjeti të birin 15 vjeçar pas shpërthimit, i cili më pas ndërroi jetë në duart e tij.
“Kam dalë në vendin e ngjarjes dhe kam gjetur djalin tim. Vetëm frymën e fundit që e ka pasur pasi kokën e kishte shumë të dëmtuar. Të pestit më pas i kemi rendit në odën time”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Isak Koxha.
Ndërsa, Bekim Koxha i cili ishte duke luftuar në momentin kur kishte ndodhur shpërthimi, tregon se si e kishte mësuar që atë ditë kishte humbur jetën edhe djali i tij 3 vjeçar.
“Duke ardhur rrugës te varrezat e kuptova se diçka ka ndodhur pasi më kanë thirrur. Kur erdha këtu të varrezat e pashë që kishin shkruar emrat e fëmijëve në kunja të varreve”, tha Bekim Koxha, përcjell Telegrafi.
Varrimi i viktimave ishte bërë menjëherë, pasi sipas familjarëve, forcat serbe në atë kohë i merrnin trupat dhe nuk i kthenin më.
“Okupatori serb kishte qëllimin që të na i merr kufomat dhe t’i dërgoj në Prishtinë apo në ndonjë vend tjetër. Kishte tentime të ndryshme të fshihen krimet”, deklaroi më tej Isak Koxha.
Në 24 marsin e para dy dekadave, shtatë fëmijë ranë në kontakt me një mjet shpërthyes në këtë fshat. Ai la të vdekur 5 nga fëmijët, ndërsa dy tjerë mbetën të plagosur. /RTV Dukagjini/Telegrafi/