Site icon Telegrafi

Dy dekada nga Masakra e Belegut

Endrit Binakaj

Teksa intervistoja të mbijetuarit e Masakrës së Belegut, trupin ma kaplonte drithërima; frymëmarrja më ndalej në gjysmë, e sytë të palëvizshëm. Ngurtësia e shikimit përfundonte me fundin e rrëfimit nga dëshmitarët e Masakrës së Belegut, që kishte ndodhur më 28 dhe 29 mars 1999.

Me fjalët e dëshmitarëve zhytesha sërish në skenën tronditëse që kisha përjetuar si fëmijë, ku akterët e këtij teatri krimesh famëkëqija ishin forcat serbe të armatosura rëndë, që luanin në mënyrën më çnjerëzore me viktimën e lënë në mëshirën e fatit – qenien shqiptare.

Luftëra ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit, por lufta në Kosovë e viteve 1998-1999 ishte terror sistematik mbi popullsinë civile – gjenocid e përdhosje e dinjitetit njerëzor. Si mund të justifikohet vrasja dhe masakrimi i një foshnje të sapolindur në djep, apo i një loke? Çfarë ka të bëjë kjo me luftën?

Natyrisht që nuk ka të bëjë aspak me një luftë të forcave proporcionale. Gjenocidi serb përfshinte vetëm tmerrin, masakrën, vrasjen e civilëve të pambrojtur… Dhe, këto ndodhnin në Evropë, në pragun e mijëvjeçarit të ri.

Fshati Beleg ku jam lindur, përjetoi episodin më të kobshëm të ekzistimit të tij shekullor. Pas disfatës që kishte pësuar ushtria serbe në Betejën e Pozharit, të datës 28 mars, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, në shenjë hakmarrjeje u ishin vërsulur fshatrave Irzniq dhe Beleg.

Më 28 mars, në fshatin Irzniq u vranë shtatë persona (në mesin e tyre edhe një nënë). Ndërsa, më 29 mars të vitit 1999, në fshatin Beleg forcat e mëdha serbe kishin filluar të shkatërronin dhe digjnin çdo gjë. Para syve të familjarëve u pushkatuan Nezir Vishaj, Naim Vishaj dhe Daut Aliçkaj.

Përjetimet nga kjo ditë mortje, kanë për të mbetur gjatë në kujtesën time. Këto kujtime mëtoj të mos harrohen kurrë as nga pasardhësit që do të vijnë, sepse, siç na mëson përvoja historike – gjërat që harrohen, kanë gjasë që të përsëriten!

Së bashku më rrëfimtarët e mbijetuar të kësaj masakre, unë jam bashkudhëtar i asaj vuajtjeje e tmerri, ndonëse isha fëmijë. Në fshatin Beleg, më datë 29 mars 1999, mbetën të vrarë 46 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre kishte edhe adoleshentë, si Faton Vishaj i cili ende nuk i kishte mbushur 16 pranvera, e deri tek pleqtë në moshë shumë të shtyrë.

Plagët e marra nga lufta e vitit 1999, Belegun e godasin fort edhe pas dy dekadave. Përpos disa personave që janë identifikuar nga kjo ngjarje makabre, pjesa dërmuese e të rënëve mbesin të zhdukur. Ndërsa, drejtësia ndërkombëtare po hesht në zbardhjen e autorëve të krimeve. Po hesht për Masakrën e Belegut. Edhe pse te mbijetuarit e saj disa herë kanë dëshmuar në Tribunalin e Hagës, nuk ka ndonjë lëvizje konkrete në dënimin e kriminelëve.

Rrëfimi im në dy libra të botuar, synon të japë një pasqyrë të masakrës. Kjo është përpjekje modeste e një të mbijetuari që në atë kohë sapo kishte mbushur nëntë pranvera.

***

Në Masakrën e Belegut u vranë 46 civilë shqiptarë, të identifikuar janë emrat e mëposhtëm:

Shaqë (Curr) Binakaj
Hysni (Curr) Binakaj
Nezir (Ibish)Vishaj
Naim (Daut) Vishaj
Daut (Murat) Aliçkaj
Gëzim (Selmon) Vishaj
Jetmir (Arif) Mazrekaj
Qazim (Osë) Hulaj
Sadri (Adem) Zukaj
Shefqet (Curr) Belegu
Shaban (Haxhi) Kadriaj
Ali (Haxhi) Kadriaj

Ende nuk dihet se ku janë:

Zymer (Miftar) Binakaj
Brahim (Adem) Zukaj)
Hamid (Dervish) Zukaj
Rexhep (Lum) Neziraj
Faton (Hasan) Vishaj
Fatmir (Halil) Vishaj
Ramë (Shaban) Kilaj
Sadri (Hajdar) Vishaj
Mujë (Isuf) Vishaj
Malë (Isuf) Vishaj
Zenel (Ukë) Vishaj
Hazir (Himë) Zukaj
Shaban (Ramë) Nitaj
Nekë (Halil) Binakaj
Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
Ali (Avdyl) Mazrekaj
Bashkim (Lush) Hadergjonaj
Afrim (Lush) Hadergjonaj
Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
Mehmet (Halil) Tolaj
Xhevat (Ukë) Tolaj
Misin (Hajdin) Tolaj
Arif (Haxhi) Mazrekaj
Isa (Tahir) Tolaj
Sahit (Bekë) Mazrekaj
Hasan (Sahit) Mazrekaj
Sundim (Sahit) Mazrekaj
Naim (Hysen) Tolaj
Ragip (Osmon) Morina
Beqir (Idriz) Dervishaj
Tafë (Bekë) Dinaj
Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
Haxhi (Shaban) Kadriaj

Exit mobile version