Site icon Telegrafi

Dy çifte të njohura të estradës festojnë përvjetorin e martesës në të njëjtën datë

Sezoni veror është shumë i ngjeshur me punë për artistët, e veçanërisht për këngëtarët, të cilët angazhohen në koncerte e mbrëmje muzikore të ndryshme.

Si rrjedhojë shumë prej personazheve VIP zgjedhin shtatorin si muajin e përkyer për të kryer ceremonitë e tyre, qoftë martesore apo edhe të tjera.

Në një datë si kjo e sotmja (16 shtator), dy çifte të njohura të estradës si për rastësi kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë.

Lexo po ashtu Speciale: 2017 - Viti i martesave në estradë: Gjithçka rreth dasmave glamuroze të yjeve (Foto)

Bëhet fjalë për çiftin e muzikantëve Yllka Kuqi dhe Astrit Pallaska, dhe çiftin e aktorëve Lena Kryeziu dhe Ilir Bokshi.

Përmes rrjeteve sociale, personazhet e mësipërm kanë kujtuar këtë datë, e cila tashmë për çdo vit është edhe më e veçantë për ta.

Ishte fillimisht këngëtarja Yllka Kuqi, ajo e cila vendosi të publikojë një fotografi në rrjetin social Instagram, ku shfaqej bashkë me Astritin në një nga momentet më të veçanta të dasmës së saj.

Yllka Kuqi dhe Astrit Pallaska u martuan më 16 shtator të vitit 2011 në një dasmë të organizuar në qytetin e tyre të lindjes, në Gjakovë.

Në po këtë datë, u martua edhe një tjetër vajzë e famshme nga Gjakova – është kjo aktorja e njohur e teatrit, Albulena Kryeziu, e cila tash e dy vite është e martuar me regjisorin Ilir Bokshi.

Një ditë si kjo, Lena vendosi ta kujtojë me një fotografi të veçantë të publikuar në Facebook, ku shfaqej në krahët e Ilir gjatë martesës, teksa shkruante në mbishkrimin e fotografisë “Përvjetori i kurorëzimit”.

Foto: SC/Lena Kryeziu-Bokshi/Facebook

Çifti Ilir Bokshi e Albulena Kryeziu u martuan më 16 shtator të vitit 2016, në një ceremoni private të mbajtur në Tiranë. Ata tashmë janë edhe prindër të një djali, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Doni.

Lexo po ashtu Emocionuese: Takimi i aktores Albulena Kryeziu me të birin në tapetin e kuq pak çaste para fillimit të finales së PriFest

Ndërkohë, urimet e fansave dhe uratat për një jetë të lumtur nuk kanë munguar për të dyja çiftet. /Telegrafi/

Exit mobile version