Site icon Telegrafi

Dy burrat u gjetën të vdekur, pamjet zbulojnë mashtrimin e policisë braziliane për ngjarjen

Një kamerë vëzhgimi e montuar në një ndërtesë në qytetin Belford Roxo të Brazilit kapi momentin e tmerrshëm kur një oficer policie hapi zjarr ndaj dy burrave në një motoçikletë, orë para se trupat e tyre të gjendeshin të hedhur në një rrugë të shtunën në mëngjes.

Sipas Daily Mail, përcjell Telegrafi, Jorge Custódio dhe Júlio Ferreira u arrestuan të dielën në lidhje me vrasjet e Jordan Natividade, 18 vjeç dhe Edson Arguinez Jr, 20 vjeç.

Siç thuhet më tej, agjentët kishin gënjyer në një raport të incidentit dhe thanë se ata nuk qëlluan mbi burrat. Ata pretenduan se i kishin liruar nga paraburgimi.

Trupat e pajetë të Natividade dhe Arguinez Jr u zbuluan në lagjen Babi të Belford Roxo të shtunën pasdite dhe se në trupat e tyre u shfaqen shenja dhune dhe të shtëna armësh.

Sipas faqes së lajmeve braziliane UOL, familja e Natividade mësoi përmes stafit mjeko-ligjor të departamentit të policisë se adoleshenti u gjet i zhveshur dhe se i ishte thyer nofulla.

Hetuesit zbuluan se policët gënjyen në raportin e tyre të incidentit, duke pretenduar se Natividade dhe Arguinez Jr kishin rënë nga motori dhe shkruan në regjistrin e tyre të ndërrimit se ata kurrë nuk hapën zjarr.

Sidoqoftë, pamjet video treguan të kundërtën.

Policët thanë se Arguinez Jr pësoi një dëmtim në kokë si rezultat i rënies dhe përdori bluzën e tij për të ndaluar gjakderdhjen.

Ata gjithashtu thanë se ai nuk pranoi të dërgohet në ndonjë spital për mjekim.

Gjithsesi, sistemi GPS i makinës konfirmoi se policët ishin drejtuar nga zona ku u hodhën trupat. /Telegrafi/

Exit mobile version