Site icon Telegrafi

Dy burra rusë dyshohen për shpërthimin në një depo armësh në Çeki që ndodhi në vitin 2014 – vendi dëboi 18 diplomatë rusë

Dy burra rusë të dyshuar për kryerjen e helmimit në Salisbury të Sergei Skripal në vitin 2018, janë të lidhur me një shpërthim në një depo armësh në Republikën Çeke katër vjet më parë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, policia çeke publikoi fotografi të Aleksandër Petrov dhe të Ruslan Boshirov, për të cilët ata thonë se ishin në vend në kohën e shpërthimit, që la të vdekur dy persona.

Si rrjedhojë, Republika Çeke ka dëbuar 18 diplomatë rusë në shenjë hakmarrjeje.

Kryeministri çek, Andrej Babis, tha se vendi duhej të reagonte ndaj zbulimeve që lidhnin shpërthimin me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU.

Në një konferencë shtypi të shtunën në mbrëmje, Babis deklaroi se 18 diplomatët që ishin identifikuar që punonin për shërbimet e inteligjencës ruse, do të kishin kohë 48 orë për ta lëshuar vendin.

“Ekziston një dyshim i arsyeshëm që agjentët sekretë rusë të shërbimit të GRU-s, ishin të përfshirë në shpërthimet e vitit 2014, në një deponi municionesh në fshatin çek, Vrbetice”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, policia lëshoi një kërkesë për ndihmë në kërkimin e dy individëve për të cilët tha se ishin në vend midis 11 tetorit dhe 16 tetorit në vitin 2014, së pari në Pragë dhe më pas në zonën ku gjendet depoja e armëve.

Policia çeke po kërkon të dyshuar duke përdorur identitetin Aleksandër Petrov dhe Ruslan Boshirov në lidhje me shpërthimin. /Telegrafi/

Exit mobile version