Telegrafi

Dy bërthama mjaftojnë?

“Ka dallim kur mbarohen pajisje për nevojat specifike, dhe kur ato mbarohen për tu mburrur me specifikat”, tha troç drejtori i zhvillimit të produkteve pranë Qualcomm.

Në smartphone dhe tablet nuk ekziston nevoja as për bërthamën e tretë, e situata e ngjashme mbretëron edhe tek kompjuterët, mendojnë në Qualcomm. Në vend të garës për numrin e bërthamave dhe specifikat në letër, kompania do të orientohet në avancimin i cili mund të përdoret në jetën e përditshme. Prapëseprapë, në përgatitje është edhe procesori katërbërthamësh i cili nga Qualcomm pritet të arrijë kah fundi i vitit. Derisa këta procesor të stabilizohen në treg, do të duhej të fillojnë të paraqiten edhe softuerët të cilët mund të përdorin përparësitë e disa bërthamave.

Gjithashtu, ata folën edhe për situatën në HTC për të cilin më nuk janë furnizuesi ekskluziv të çipave. HTC në modelin e tyre më të avancuar të smartphoneit, One X, vendosi të përdorë Tegra 3. Qualcomm nuk është aspak i brengosur për këtë, thonë në kompani, për shkak se “askush nuk mund ta mbaj një furnitor përgjithmonë”. One X i HTC-së në versionin për tregun amerikan do të përdorë SoC të Qualcomm për shkak të përkrahjes për punë me rrjetat mobile LTE. /Telegrafi/