Site icon Telegrafi

Dy amerikanë edhe te Shqipëria

Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Antonis Constantinides, ka bërë të ditur për mediat shqiptare sot se Shqipëria do të natyralizojë së paku dy lojtarë amerikanë para kualifikimeve për Eurobasket 2017.

Constantinides në një bisedë të tijën ka bërë të ditur edhe synimet e tij me kuqezinjtë.
“Do të punojmë shumë për të kthyer Shqipërinë në hartën basketbollistike të Evropës. Unë kudo që punoj synoj të jem i suksesshëm, pasi që këtë punë e kam pasion,”ka thënë fillimisht ai për gazetën në fjalë.

Më tej, ai ka sqaruar edhe synimet e ekipit dhe ka vlerësuar rivalët e grupit kualifikues.

“Ne do të japim më të mirën tonë në gjashtë ndeshjet që i kemi ndaj Malit të Zi, Gjeorgjisë dhe Sllovakisë. Jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi lehtë,” ka thënë qiprioti që ditë më parë la Sigal Prishtinën, me të cilën ishte shpallë kampion në Kosovë dhe kishte fituar edhe Kupën e vendit dhe ligën ballkanike.

“Së pari do t’i mbledhim më të mirët në vend, pastaj do t’i ftojmë disa shqiptarë që luajnë në liga të huaja si Angli, Greqi e SHBA e krejt në fund do t’i natyralizojmë edhe 2 amerikanë para kualifikimeve,”ka shtuar ai ndër të tjera.

Shqipëria ndeshjen e parë kualifikuese e zhvillon si mysafire e Gjeorgjisë më 31 gusht, ndërsa të fundit ndaj Sllovakisë më 17 shtator.

Exit mobile version