Dy ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai në Prishtinë, Philipp Kosnet, si dhe ai në Beograd, Kyle Scott, përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë për një arritje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, me njohjen reciproke në thelbin e saj.
Në deklaratën e përbashkët të dy ambasadorëve thuhet se kurajo dhe kreativiteti i treguar nga udhëheqësit në Athinë dhe Shkup për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre shumëvjeçare duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon.
“Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë, ne jemi të bindur se udhëheqja politike e matur dhe vizionare mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës, me njohjen reciproke në thelbin e saj”, thuhet në deklaratë.
Kjo arritje, siç shkruan në deklaratë, do të vendoste themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatë për të gjithë popujt në këtë rajon.
“Kjo është arsyeja pse ne sot nisim një apel: është koha që Kosova të pezullojë taksën, që Serbia të reagojë në mënyrë konstruktive, që tu jepet fund provokimeve nga të dyja palët, për Beogradin dhe Prishtinën që të kthehen në Dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe për të dyja palët për ta përqafuar paqen. Nëse e bëni këtë, ne jemi optimist që ju mund të arrini një marrëveshje historike normalizimi në vitin 2019”, thuhet tutje në deklaratën e dy ambasadorëve.
Në këtë drejtim, duke folur rreth marrëveshjes së mundshme ndërmjet dy vendeve, ambasadorët theksojnë faktin se Shtetet e Bashkuara nuk e përshkruajnë dhe nuk do të përshkruajnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Është në detyrën e udhëheqësve dhe ekipet e tyre që të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga BE për të eksploruar atë që është e mundur dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me qytetarët e tyre – për të siguruar që bisedimet reflektojnë vullnetin e popullit dhe për të ndihmuar në kapërcimin e ankthit dhe dyshimit”.
Më poshtë e keni deklaratën e plotë të dy ambasadorëve amerikanë, atij në Prishtinë dhe atij në Beograd:
Kurajo dhe kreativiteti i treguar nga udhëheqësit në Athinë dhe Shkup për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre shumëvjeçare duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon.
Si ambasadorë të SHBA në Beograd dhe Prishtinë, ne jemi të bindur se udhëheqja politike e matur dhe vizionare mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës, me njohjen reciproke në thelbin e saj.
Kjo arritje do të vendoste themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatë për të gjithë popujt në këtë rajon.
Kjo është arsyeja pse ne sot nisim një apel: është koha që Kosova të pezullojë taksën, që Serbia të reagojë në mënyrë konstruktive, që tu jepet fund provokimeve nga të dyja palët, për Beogradin dhe Prishtinën që të kthehen në Dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe për të dyja palët për ta përqafuar paqen. Nëse e bëni këtë, ne jemi optimist që ju mund të arrini një marrëveshje historike normalizimi në vitin 2019.
Ju keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar të keni sukses dhe për të ndërtuar besimin e nevojshëm për të zhvilluar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Presidenti Trump i shkroi kohët e fundit udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për të inkurajuar të dy vendet që të “kapin këtë moment dhe të ushtrojnë lidershipin politik në marrjen e vendimeve për të balancuar interesat e të dy vendeve”.
Presidenti Trump shtoi se “do të ishte jashtëzakonisht për të të ardhur keq të humbasim këtë mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike”.
Presidenti Trump ishte po aq i qartë kur ai iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: udhëheqësit përgjegjës kanë një detyrim për t’i shërbyer qytetarëve të tyre.
Ne besojmë se një marrëveshje është e mundur dhe shpresojmë të festojmë së bashku me ju, ashtu siç e festojmë guximin e udhëheqësve grekë e maqedonas.
Në fakt, Presidenti Trump ka ftuar tashmë Presidentët Vuçiq dhe Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të përkujtuar arritjen sa më shpejt që të ndodhë.
Shtetet e Bashkuara nuk e përshkruajnë dhe nuk do të përshkruajnë se si duhet të duket zgjidhja, por beson se duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit.
Është në detyrën e udhëheqësve dhe ekipet e tyre që të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga BE për të eksploruar atë që është e mundur dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me qytetarët e tyre – për të siguruar që bisedimet reflektojnë vullnetin e popullit dhe për të ndihmuar në kapërcimin e ankthit dhe dyshimit.
Ne e pranojmë se kjo nuk është e lehtë. Ne nuk jemi të verbër ndaj ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë çuar në mosbesim dhe keqperceptim që rëndojnë marrëdhëniet.
Kjo është arsyeja pse çdo marrëveshje duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e dobishme për të dyja palët, për t’i dhënë Kosovës dhe Serbisë një rol në suksesin e saj. Kjo është edhe arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy palët të zhvillojnë dhe zbatojnë në mënyrë efektive një marrëveshje të qëndrueshme.
Hapat e fundit nga Beogradi dhe Prishtina që rrisin tensionet duhet të ndalen nëse ka ndonjë shpresë për të sjellë paqe, prosperitet dhe drejtësi të qëndrueshme në rajon. Nëse të dyja palët dështojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ju rrezikoni të humbni mundësinë më të mirë në një brez.
Status quo ka bllokuar përparimin ekonomik dhe politik në të dy vendet dhe ka detyruar profesionistët dhe të rinjtë për të kërkuar të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme me ekonomi më dinamike. Në vendet e tyre, krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementë të tjerë ekstremistë po zënë vend, duke paraqitur kërcënime për sigurinë rajonale dhe evropiane.
Asnjëri vendi nuk përfiton nga pengesat e vazhdueshme dhe vonesat. Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë një të ardhme ku fëmijët dhe nipërit e tyre do të njohin paqen dhe begatinë sesa konfliktet dhe vështirësitë ekonomike.
Një marrëveshje e qëndrueshme dhe e zbatueshme e kompromisit është në interes të të dy vendeve.
Stabiliteti afatgjatë dhe prosperiteti për Kosovën dhe Serbinë varen nga një kthim në Dialogun e udhëhequr nga BE dhe guximi për të kapërcyer të kaluarën dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme të përbashkët. Nëse Serbia dhe Kosova janë gati të hyjnë në këtë rrugë, Shtetet e Bashkuara do të jenë pranë jush në çdo hap të rrugëtimit tuaj. /Telegrafi/