Telegrafi

Dwyane Wade fundos Golden State me treshe në sekondën e fundit

Dwyane Wade ka treguar se përkundër faktit se po luan sezonin e fundit, di të jetë vendimtar, pasi ka realizuar treshe në sekondën e fundit për fitoren e Miami Heat ndaj Golden State me rezultat 126-125.

Sfida u zhvillua me dominim të madh të Miamit, që pati epërsi shumë të madhe vazhdimisht gjatë takimit.


Por, Golden State arritën që të rikthehen në këtë takim duke zhvilluar lojë të mirë dhe madje ishin afër fitores.

Me dy pikë epërsi, ishte Wade ai që mori gjuajtjen vendimtare, kur pasi së pari u bllokua, gjuajti edhe një herë për të realizuar treshe për fitore e gëzimin e madh në American Airlines Arena.

Richardson ka arritur 21 pikë, ndërkaq Olynyk 15 pikë, kurse shkëlqeu Wade me 25 pikë e shtatë kërcime.

Boston – Portland

Bostoni regjistroi humbjen e katërt rresht duke pësuar në shtëpi ndaj Portlandit edhe pse Irving regjistroi 31 pikë.

Te Portlandi dominues ishin Lillard me 33 pikë dhe Nurkic me 16 pikë.

Në Perëndim Golden State mban vendin e parë me një fitore më shumë se Denveri, kurse Portlandi ka pozitën e katërt me një fitore më pak se Oklahoma që ka vendin e tretë.

Bostoni ka rënë në vendin e pestë me tri fitore prapa Philadelphias me të cilin ekip mund të përballet në Playoff nëse pozitat tabelare nuk ndryshojnë. /Telegrafi/