Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka thënë se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të cilin ai e kishte quajtur më parë një “budalla”, tani është “heroi i të gjithëve”, pasi Kim u zotua të punonte me Seulin për “denuklearizimin e plotë” të gadishullit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Duterte tha se ai do ta “uronte” Kim-in, i cili sapo u bë “idhulli” i tij, nëse ai do të kishte një shans për ta takuar atë.
“Ai duket të jetë mik i dashur, i gëzuar dhe shumë mikpritës”, citohet të ketë thënë tutje Duterte për Kim.
Deklaratat e tij Duterte vijnë pas disa kritikave të tij ndaj Kim për ambiciet e tij bërthamore.
Në prill të vitit të kaluar ai vuri në pikëpyetje mendjelehtësinë e tij dhe i kërkoi Shteteve të Bashkuara të tregonin përmbajtje dhe të mos ishin të ndikuar nga një njeri që “do t’i japë fund botës”.
E disa muaj më vonë, Duterte e quajti Kim-in një “budalla” dhe nuk u ndalë duke e qortuar “se po luan me lodra të rrezikshme”.
Ndryshe, udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe të Koresë së Jugut ranë dakord për një qëllim të përbashkët të një gadishulli “pa armë bërthamore” gjatë një takimi të premten.
Gjatë takimit në Zonën e Demilitarizuar që ka ndarë Korenë për më shumë se gjashtë dekada, Kim dhe Moon njoftuan se do të punonin me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën këtë vit për të shpallur një fund zyrtar të Luftës Koreane të vitit 1950 dhe për të krijuar një marrëveshje të përhershme të paqes. /Telegrafi/