Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, kërcënoi sot me shtrirjen në të gjithë vendin të ligjit të luftës vendosur një ditë më parë në pjesën jugore për të luftuar islamikët, të cilët vranë një zyrtar të policisë dhe morën peng një prift.
Presidenti urdhëroi dje në mbrëmje aplikimin e këtij ligji të jashtëzakonshëm në rajonin jugor të Mindanaos, që përfshin një të tretën e territorit filipinas dhe ku jetojnë 20 për qind e më shumë se 100 milionë banorëve të arkipelagut.
“Rreth 100 militantë të Shtetit Islamik kanë hyrë dje në qytetin e Marawit duke vrarë pesë ushtarë, duke marrë peng në një kishë një prift dhe një numër të pacaktuar personash dhe duke i vënë zjarrin ndërtesës”, njoftuan autoritetet.
Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale nga disa prej 200 000 banorëve të këtij lokaliteti tregojnë persona të armatosur duke u endur rrugëve dhe me flamuj të zi të ngjashëm me ato të Shtetit Islamik.
Presidenti, Duterte theksoi se mund ta aplikonte këtë ligj në të gjithë vendin për të mbrojtur popullsinë duke shtuar se kjo do të kujtonte kohët e dikaturës së Ferdinand Marcos, rrëzuar nga një revolucion në 1986.
“Nuk do të hezitoj të bëj gjithçka për të mbrojtur kombin filipinas”, shtoi ai duke theksuar se ligji i luftës i Marcos ishte shumë i nevojshëm.