Site icon Telegrafi

Dushi: Vetëvendosje paraprin me dhunë, Qeveria ishte e gatshme për dialog

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi, konsideron se Lëvizja Vetëvendosje po paraprinë me veprime të dhunshme në Kuvendin e Kosovës.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai u deklarua se Qeveria ishte gjithmonë e gatshme për dialog, por gjithnjë ka hasur në kundërshtimin e Opozitës.

“Qeveria ka qenë e gatshme për dialog, po opozita ka refuzuar. Lëvizja vetëvendosje paraprinë me veprime të dhunshme në Kuvendin e Kosovës. Ka ligje që e mbrojnë Kuvendin. Qe një vit s’ka mundur të përmbushë funksionet e veta kushtetuese”.

Ai i ka cilësuar si të “llahtarshme”, pamjet që ka marrë Kuvendi i Kosovës, pas përdorimit të gazit lotsjellës nga opozitarët.

“Kanë pasur skena të llahtarshme në Kuvendin e Kosovës, të cilat në asnjë formë nuk do të duhej të ndodhnin”, ka thënë Dushi.

Ai ka thënë se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi duhet të ratifikohet nga deputetët e Kuvendit.

“Ky është momenti përfundimtar për t’i dhënë fund kësaj çështjeje në mënyrë që ekzekutivi kosovar të merret me punë të tjera, më të rëndësishme, për vendin”.

“Debati i fundit edhe konferenca që e dëgjuam pak ditë më parë u kanë dhënë fund të gjitha debateve dhe momenti është që çështja të procedohet”.

“Ajo çfarë është e dhimbshme për këtë periudhë janë format dhe metodat që kanë zgjedhur për ta kundërshtuar demarkacionin. Konsideroj që 1 shtatori do të jetë dita kur Kuvendi do t’i japë udhë kësaj çështjeje dhe Kosova do të çlirohet, kurse Qeveria e Kosovës do ta ketë rastin të merret me temat reale”, ka deklaruar Dushi.

Exit mobile version