Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në një Konferencë virtuale për të diskutuar për Standardet e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës, e cila ka të bëjë më ngritjen e vetëdijes dhe marrjen e masave kundër dhunës ndaj grave, ndaj vajzave dhe dhunës në familje në përgjithësi.
Gjatë kësaj konferencë, zëvendësministri Dushi fillimisht ka përshëndetur aprovimin e Konventës së Stambollit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar si instrument ligjor shumë të rëndësishëm për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës në familje, ndryshim kushtetues ky i mirëpritur duke marr parasysh edhe faktin së përveç plotësim-ndryshimit të ligjit kundër dhunës në familje, Zyra e Koordinatorit Nacional është në fillim të hartimit të Strategjisë së re Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.
Dushi ka theksuar se në cilësinë e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, mbetet i përkushtuar që hartimi i politikave për mbrojtjen nga dhuna në familje të jenë të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Ai gjithashtu ka përmendur hapat të cilët janë ndërmarr bashkërisht me partnerët vendor dhe ndërkombëtar në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe zbatimin e Planit të Veprimit 2010-2020 i cili trajton shërbimet që institucionet tona ofrojnë dhe duhet të ofrojnë për viktimat e dhunës në familje por edhe ndjekjen penale të kryesve të këtij lloji të krimit. Si hap i rëndësishëm është vlerësuar edhe krijimi i Bazës së Integruar i të Dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, e cila plotësohet me të dhëna nga të gjithë akterët relevant.
Në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së KNKDHF ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për një koordinim dhe angazhim edhe më të madh sa i përket harmonizimit të infrastrukturës ligjore me Konventën e Stambollit dhe për ndërtimin e praktikave më të mira në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, të cilat do të ndikonin që Kosova në të ardhmen të bëhet model i parandalimit dhe trajtimit të këtij fenomeni negativ brenda shoqërisë sonë. /Telegrafi/