Site icon Telegrafi

Durrësi ul çmimet për pushuesit

Sezoni veror ka nisur me ulje çmimesh në mënyrë drastike, nga të gjithë operatorët në plazhin e Durrësit.

Në konkurrencën e madhe midis plazheve dhe operatorëve turistikë, nga Shëngjini, Velipoja Durrësi e Vlora deri në Sarandë, kryeqyteti i numrit të pushuesve, Durrësi, ka fituar përsa i përket çmimeve me të cilat konkurron.

Pushues të mbërritur nga e gjitha diaspora, madje edhe nga SHBA-të, në intervistat e dhëna për News24 e Balkanweb, tregojnë se çmimet e akomodimit në banesa dhe në hotele janë mjaft të leverdishme.

Dhjetë euro në natë është çmimi për një banesë në qendër të plazhit.

“Kemi një shtëpi komode, të pastër të bukur me bahçe dhe ujë pa ndërprerje. Pagesa është 10 euro në natë. Shumë mirë dhe shumë lirë”, deklaron Ahmet Shaqiri që ka mbërritur me bashkëshorten nga Prizreni.

“Në një hotel të vogël, shtatë euro nata paguaj, ka orenditë kryesore, është çmim shumë i leverdisshëm”, thotë një pushues tjetër.

Prej 20 vjetësh në Durrës, mbërrin nga Ilinoisi një shqiptar i Tetovës.

“Çmimet janë shumë të mira, klima e mirë, duhen përmirësuar ca shërbime”, thotë ai.

Në plazhin e Durrësit një kafe është 70 lekë maksimumi, një sandviç 100 lekë, ndërsa një çadër 300 lekë.

“Të tilla çmime nuk i gjen në asnjë vend tjetër dhe kushtet janë të mira”, shprehen pushuesit.

Exit mobile version