Site icon Telegrafi

Durrësi, shtëpia e dytë e ukrainasve: Qyteti bregdetar mirëpret refugjatët e luftës

Durrësi është kthyer së fundmi në “strehën” e preferuar të të huajve, që zgjedhin të krijojnë një jetë të re në Shqipëri.

I tillë është edhe rasti i një familjeje me 5 anëtarë nga Ukraina, me historinë e të cilëve na njeh kronika në vijim.

“Këtu ka det, ka diell, dhe mbi të gjitha s’ka luftë. Këto janë gjëra që ne i shohim si shumë të rëndësishme për të rritur fëmijët tanë.”

Këto vlerësojnë, ndër të tjera, në Durrës, shumica e refugjatëve të luftës në Ukrainë.

Të tillë janë dhe Viktoria e Oleksij Olijnik, të cilët pak ditë më parë janë shpërngulur në qytetin bregdetar.

Në mes të konfliktit dhe kaosit, me tri vajzat e tyre të vogla, ata janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, në kërkim të sigurisë dhe stabilitetit.

 “Ishte e vështirë të linim Ukrainën, sepse ne kemi lindur atje, kemi jetuar dhe studiuar atje, dhe atje na kanë mbetur shumë miq.Tani disa miq na kanë vdekur në luftë, shoku im i fëmijërisë vdiq sëfundmi dhe prandaj u largova, se doja të mbroja familjen, vajzat e mia”-tha Oleksij Olijnik.

Në Durrës, kjo familje ka gjetur më shumë se thjesht një vendstrehim të përkohshëm.

Në rrugët plot njerëz të qytetit, mes sfondit të plazhit dhe ditëve plot diell, familja Olijnik ka gjetur ngushëllim, përkatësi e paqe.

SINKRON/ “Në momentin që arritëm këtu, gjithçka na shkoi mirë. Më vjen mirë për fëmijët dhe gëzohem që munda të shpëtoja familjen.Mendojmë të rrimë gjatë në Shqipëri. Unë punoj ‘online’, kështu nëpërmjet punës me laptop unë mund të fitoj para ndërsa qëndroj këtu. Mua më pëlqen Durrësi, sepse këtu para së gjithash është ngrohtë, tani psh në Ukrainë bie borë, moti është shumë i keq”- u shpreh Oleksij Olijnik.

E vendosur përgjatë bregut të Mesdheut, Shqipëria e ka pritur kështu me krahë hapur familjen Olijnik, duke i ofruar jo vetëm strehim nga tmerret e luftës, por edhe mikpritjen e një populli të sjellshëm dhe të dhembshur.

 “Në syrin tim ky është një vend magjik. Dielli, deti, njerëzit dhe marrëdhëniet këtu janë shumë të mira. E vë re dhe me fëmijët tanë, të gjithë janë të buzëqeshur, të gjithë i duan dhe duan të komunikojnë me ta. Kjo është ajo që na pëlqen. Jemi lodhur me agresionin e këtu nuk gjejmë asgjë të tillë. Njerëzit janë shumë të mirë, shumë të hapur dhe të sinqertë, miqësorë. Me pak fjalë, Shqipëria, Durrësi, na përshtatet fiks”-nwnvizoi Oleksij Olijnik.

Në Durrës janë të shumtë refugjatët e luftës, kryesisht nga Ukraina e Bjellorusia, që pavarësisht largësisë nga vendlindja e tyre, mbeten të lidhur me rrënjët në vendin amë.

Exit mobile version