Site icon Telegrafi

Durrës: Bllokohet malli i bizneseve sezonale

Një vendim i 5 ditëve të fundit ka bërë që subjekteve, të cilat rezultojnë të paregjistruara, t’u bllokohet aktiviteti dhe malli. 17 subjekte të biznesit të vogël, që tregtojnë me shumicë dhe pakicë aksesorë të ndryshëm për pushuesit, kanë rezultuar të paregjistruara dhe u është bërë sekuestrimi i mallit.

Në krye të aksionit ishte kreu i Drejtorisë së Tatimeve të Durrësit. Dhjetëra inspektorë tatimorë zbarkuan befasisht që në mëngjes në sektorin “Iliria”, në plazhin e Durrësit, me qëllim mbylljen e bizneseve të paliçensuara. Aksioni i Drejtorisë Tatimore për bizneset provizore të paliçensuara ka hasur në rezistencë verbale të bizneseve. Sqarimet ndërmjet tyre dhe inspektorëve për pak sa nuk precipituan në konflikt fizik.

Kreu i Tatimeve, Shkëlqim Fortuzi, u shpreh se nuk do të tërhiqen nga aksioni, por do të vijojnë në të gjithë qytetin e Durrësit. Sipas Fortuzit, shumica e këtyre subjekteve kanë aktivitet sezonal 2-3 muaj, dhe mundohen t’i shmangen liçensimit. “Ne do të marrim masa për të gjithë ata që shkelin ligjin. Kemi nisur një aksion në zonën e plazhit, por në ditët në vijim aksioni do të shtrihet në të gjithë qytetin”, u shpreh ai.

Sipas tregtarëve, biznesi sezonal në plazhin e Durrësit është e vetmja mundësi për të jetuar. “Kjo është absurde, që të vijnë e të na marrin mallin në dyqan. Ne me këtë punë mbajmë fëmijët. Presim dhjetë muaj të vitit për të punuar dy muajt e sezonit të plazhit, ndërsa këta s’na lënë të marrim frymë”, u shpreh Diturie Hoxha, pronare e një dyqani, raportoi Panorama./Telegrafi/

Exit mobile version