Telegrafi

Durrës, alarm fals për bombë

Mësohet se alarmi ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë nga një telefonatë në numrin 129, sot rreth orës 17:00, teksa pritej të niste një aktivitet i PDIU-së e Shoqatës Çamëria për nënshkrimin e rezolutës çame.

Pasi është dhënë alarmi, policia ka evakuuar të gjithë personat që ndodheshin brenda godinës, ndërsa nuk ka lejuar pjesëmarrësit në këtë aktivitet të hynin në pallatin e Kulturës, pa u kryer kontrolli i nevojshëm.

Kontrolli ka zgjatur rreth 30 minuta, më pas skuadra speciale e policisë së Durrësit ka bërë me dije se në godinë nuk ishte vendosur asnjë bombë dhe se bëhej fjalë për një alarm të rremë. Policia po heton për të identifikuar personin që kreu telefonatën, duke dhënë alarmin e rremë për bombë, transmeton “BalkanWeb”.

Pas alarmit të rremë për bombë në qytetin e Durrësit ka reaguar edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i cili e ka cilësuar “një tentativë për të penguar aktivitetin e tyre”. “Përdorimi i këtyre metodave”, tha ai, “nuk do mund të pengojnë nënshkrimin e rezolutës çame”. /Telegrafi/