Telegrafi

Durmishi: Rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme, shoferët të mos dalin pa pajisjet e obligueshme për sezonin dimëror

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme.

Durmishi ka pohuar se që nga orët e hershme të mëngjesit janë në terren, transmeton Telegrafi.

“Me 19 kontrata aktive të mirëmbajtjes që i kemi në gjithë territorin e Kosovës, që nga orët e hershme të mëngjesit jemi në teren. Aktualisht të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme. Kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes duke ju përshtatur kushteve të rrugëve, dhe të mos dalin në rrugë pa pajisjet e obligueshme për sezonin e dimrit”, ka theksuar Durmishi.

Ndryshe, bora sot ka zbardhur rrugët e Kosovës, sipas IHMK-së reshje bore do të ketë edhe gjatë ditëve tjera.

Po ashtu, temperaturat kanë shënuar rënie.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius. /Telegrafi/