Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka folur për projektet infrastrukturore dhe planet e kësaj ministrie për vitin 2023 dhe 2024.
Ai ka treguar për projektet kryesore, por ka folur edhe për akuzat e opozitës për keqmenaxhim në këtë ministri por edhe për investimet kapitale.
Durmishi gjatë intervistës është deklaruar për autostradën Prishtinë – Gjilan, ku sipas tij, punimet janë duke u zhvilluar me një dinamikë të shtuar.
Ai u shpreh optimist që kjo autostradë do të lëshohet për qarkullim deri në fund të vitit 2023.
“Në autostradën Prishtinë – Gjilan janë duke u zhvilluar punimet me një dinamikë të shtuar. Ne jemi shumë optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit. Janë realizuar më shumë se 70% e punimeve, jemi në fazën finale, tetë operatorë ekonomikë punojnë paralelisht. Disa kanë ecur më mirë, disa kanë pasur problem më shumë, probleme të llojeve të ndryshme”, u shpreh ai.
Durmishi deklaroi se është dashur të zgjidhnin problemet që kanë qenë në këtë pjesë, ndërsa për momentin tha se nuk ka asnjë pengesë.
Zëvendësministri tha se autostrada Prishtinë – Gjilan bën më të afërt lidhjen me korridorin 10.
“Ne jemi optimist që deri në fund të vitit do ta hapim për qarkullim këtë autostradë. Është një prej projekteve më të rëndësishme, kjo na ofron me korridorin 10, është zgjidhje për Anamoravën por jo vetëm për ta, nga viti ia ardhshëm do ta tenderojmë vazhdimin e autostradës nga Bresallci deri në kufi me Dheun e Bardhë, sepse nga aty i kemi vetëm 10 kilometra lidhje me korridorin 10”, deklaroi ai.
Gjatë intervistës, Durmishi tha se qëllimi i autostradave është lidhja me korridore ndërkombëtare, dhe se ky është prioriteti i tyre.
I pyetur lidhur me disa shtylla që janë vendosur në rrugë e që janë prodhim serb, Durmishi tha se nuk mund të obligojnë operatorët ekonomikë se ku furnizohen, megjithatë ai tha se nuk do të dëshironin që këta operatorë të furnizohen nga shteti serb.
“Ne nuk mund të bëjmë këto obligime kontraktuale, ne nuk mund t’i vendosim operatorët ekonomik se ku furnizohen me produkte për ndërtimin e rrugëve.Ne si institucione marrim veprime sa herë që ka nevojë, si ministri bashkë me kompanitë projektuese i bëjmë specifikat teknike, dimensionet dhe kompanitë mund të furnizohen në Gjermani, në Itali, por ndoshta mund të jenë furnizuar më herët edhe në Serbi”, tha mes tjerash ai.
Zëvendësministri në emisionin “Përballje”, ka folur edhe për autostradën Prishtinë – Podujevë, si dhe për zgjerimin e rrugës Kijevë-Zahaq. /Telegrafi/