Andaj, me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit ‘Xehetarët’ i liruan nga stadiumi ‘Riza Lushta’ disa futbollistë të mëdhenj si Kastriot Rexhën, Suad Saliagiqin, Shemsi Osmanin e Shpëtim Babajn.
Ndërsa, në pranverë kjo skuadër do të bazohet në futbollistë kryesisht të rinj. Por, pavarësisht ndryshimit të madh të përbërjes së skuadrës, trajneri i saj Fahredin Duraku është i bindur se Trepça ’89 nuk do të rrezikohet për të rënë nga elita, ani pse pranverën do ta nisin me vetëm tri pikë larg pozitës që dërgon në barazh.
“Më nevojitet vetëm një sulmues cilësor dhe një mesfushor me kualitete të mëdha. Nëse kryesia m’i sjell dy përforcime të tilla, jam i sigurt se nuk do të rrezikohemi. Lojtarët tanë të rinj janë shumë cilësor. Madje, nga gjashtë lojtarë nga ekipi i juniorëve i kam aktivizuar në ndeshje të sezonit vjeshtor. Me ekipin junior, ata janë në vendin e parë”, thotë Duraku. “Në këtë Superligën tonë nuk ka dallime të mëdha. Vetëm disiplina e koncentrimi e bëjnë dallimin”, shtoi ai.
Duraku dëshiron të shesë lojtarë
Fahredin Duraku mezi pret që skuadra e tij, Trepça ‘89 t’u kthehet përgatitjeve nga pushimi dimëror. Kjo pasi ekipi mitrovicas do të përbëhet me shumë futbollistë të rinj, të atillë siç i preferon trajneri mitrovicas për të punuar me ta. Duraku thotë se është ithtar i punës rreth zhvillimit të lojtarëve të rinj dhe shitjes së tyre.
“Pasi përfundoi sezoni vjeshtor u akorduam me kryesinë t’i lirojmë disa lojtarë dhe mos të shpenzojmë kotë, sidomos për faktin se i humbëm gjasat për titull. Kështu, vendosëm t’u japim hapësirë lojtarëve të rinj, me qëllim që ta përgatitim një skuadër, e cila pas dy-tri vitesh të luftojë për vend të parë”, thotë Duraku. “Unë e mirëprita këtë, sepse jam ithtar i asaj që të prodhojmë vet lojtarë, e jo të shpenzojmë shuma të mëdha nëpër futbollistë. Unë dëshiroj që çdo vit ta prodhojmë nga një lojtar të atillë që mund ta shesim nga rreth 400 mijë euro. Filozofia ime është si ajo e Arsene Wengerit të Arsenalit – për të prodhuar lojtarë të atillë që mund t’i shesim pastaj”, përfundoi ai. /Tribuna/Telegrafi/