Telegrafi

Duraku ngre alarmin: Për një natë kujdestari mjeku i merr 288 euro, infermieri vetëm 18

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK, Enlirat Duraku ka ngritur sërish alarmin për kushtet e infermierëve në sektorin publik në Kosovë.

Ai thotë se infermierët janë shumë të diskriminuar edhe në raport me mjekët.

“Nëse krahasohet ndërrimi i natës mes një infermieri dhe mjeku. Gjatë një te premte ose të shtune, për një kujdestari natën një mjek i merr 288 euro, derisa infermieri i merr vetëm 18 euro. Ka raste kur një mjek vetëm kujdestari ka mbi 770 euro, pra pa llogaritur pagën e rregullt”, ka deklaruar Duraku në Radio Dukagjini.

Duraku thotë se Shëndetësia nuk drejtohet me dosta e as me thupër.

“Që nga fillimi i vitit nga Kosova janë larguar 288 infermierë. Dhe një pjesë e madhe e të larguarve nuk janë infermierë të ri, por që kanë eksperiencë dhe që kanë punuar në intensivë, emergjencë e klinika tjera të rëndësishme. Këta vështirë që mund të zëvendësohen”.

Ai thotë se nuk përjashtohet mundësia që edhe në Kosovë të vijnë infermierë nga Filipinet./Telegrafi/