Site icon Telegrafi

Duplantis imitoi me festime turkun Dikec, mbajti një qëndrim që është hit i Lojërave Olimpike

Suedezi i pabesueshëm, Armand Duplantis theu mbrëmë (e hënë) në Paris rekordin botëror në kërcim me shtizë për të nëntën herë në karrierën e tij, duke arritur kështu medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2024.

Duplantis u hodh mbi shirit në një lartësi joreale prej 6.25 metrash dhe tejkaloi sërish veten duke thyer rekordin botëror për të nëntën herë edhe pse është vetëm 24 vjeç.

Mbrëmjen e djeshme, Duplantis jo vetëm që ka gëzuar publikun me kërcimin e tij, por edhe me festimin e një rekord të ri, sepse vendosi të imitojë turkun Yusuf Dikecin, njeriun që u bë një sensacion i vërtetë në Lojërat Olimpike të kësaj vere.

Lexo po ashtu Graviteti? Nuk ka dëgjuar kurrë për të - Armand Duplantis sapo ka bërë diçka 'mbinjerëzore'

Dikec garoi në gjuajtjen me pistoletë ajrore në dhjetë metra, ku së bashku me Shevala Tarhan i sollën Turqisë medaljen e argjendtë.

Qitësi turk fitoi simpatinë e fansave pasi qëlloi pa pajisje shtesë, përveç tapave, ndërsa dorën tjetër e mbajti në xhep duke goditur objektivin.

Pas kërcimit të mbrëmshëm, Duplantis është ndalur dhe ka imituar qëndrimin e Dikecit dhe fotot tashmë janë bërë virale në rrjetet sociale.

 

Meqë ra fjala, amerikani Sam Kendricks fitoi mbrëmë medaljen e argjendtë me një kërcim prej 5.95 m, kurse Emmanouil Karalis medaljen e bronztë me një kërcim prej 5.90 m.

Për herë të parë, Duplantis theu rekordin botëror në shkurt të vitit 2020, kur kaloi shiritin në lartësinë 6.17 metra dhe që atëherë e ka përmirësuar me një centimetër shtatë herë të tjera radhazi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version