Shefja e Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ka reaguar pas deklaratës së deputetes së NISMA-s, Valdete Bajrami, e cila një ditë më parë tha se eurodeputetja Ulrike Lunaçek ju kishte thënë se qeveria ka kërkuar që Demarkacioni të jetë kusht për viza.
Por një gjë të tillë e ka demantuar vetë eurodeputetja Ulrike Lunaçek.
E lidhur me këtë Vlora Dumoshi i ka thënë se Valdete Bajrami se duke manipuluar me emrin e eurodeputetes Lunaçek dhe në përpjekje që të manipulojë opinionin në Kosovë, ka fyer zonjën Lunaçek, e cila njihet si përkrahëse e madhe e proceseve eurointegruese të Kosovës.
Postimi i plotë i Vlora Dumoshit:
“Valdete Bajrami, paska fyer edhe një mike të madhe të Kosovës.
Ngjashëm me ofendimin që ia bëri Papës, duke e konsideruar njeri që zhvillon takime nëpër holle, Valdetja mbrëmë, paska deklaruar se “Ulrike Lunacek ka thënë se demarkacioni për liberalizmin e vizave është kërkuar si kriter nga Qeveria e Kosovës”. Kjo deklaratë e pavërtetë e Valdete Bajramit, është demantuar plotësisht nga zonja Lunacek, e cila deklaroi se kurrë s’ka thënë se Qeveria e ka kërkuar demarkacionin si kusht për vizat. Më këtë veprim, duke manipuluar me emrin e eurodeputetes Lunacek dhe në përpjekje që të manipulojë opinionin në Kosovë lidhur me demarkacionin, Bajrami ka fyer zonjën e nderuar Lunacek, e cila njihet si përkrahëse e madhe e proceseve eurointegruese të Kosovës.
E nderuar deputete, kjo metodë e zgjedhur nga ana Juaj, përmes shtrembërimit të deklaratave të personaliteteve të huaja dhe fyerjes së figurave të mëdha botërore që e përkrahin Kosovën, nuk ju bën nder as Juve personalisht, as NISMA-së dhe as Kosovës.
Andaj, e dashur, bëj përpjekje të gjesh ndonjë metodë më dinjitoze, më kreative dhe të frytshme për të ardhur në shprehje dhe për të dalë në pah”(sic.)