Në prezantimin e raportit vjetor të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ministrja Vlora Dumoshi ndër të tjera ka folur edhe rreth ndërtimit të stadiumit nacional për të cilin ende nuk kanë filluar punimet edhe pse ka kohë që është diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Dumoshi me këtë rast ka bërë të ditur se stadiumi do të ndërtohet por që fillimi i këtyre punimeve është shtyrë për shkak të problemeve që kanë ardhur për shkak të pandemisë dhe se me këtë rast ministrisë që ajo e drejton i është marrë një pjese e madhe e buxhetit.
Gjithsesi, ministrja ka konsideruar se ndërtimi i stadiumit nacional është i domosdoshëm, sidomos tani që Kosova është pjesë e FIFA-së dhe UEFA-së, transmeton KP.
“Stadiumi do të ndërtohet dhe është i paraparë në buxhetin e ministrisë dhe ka qenë i paraparë. Është shumë e nevojshme që ta kemi stadiumin nacional edhe këtë punë ne duhet mos sot-nesër ta ndërtojmë”.
“Ne e dimë që projekti vetëm ka kaluar, vendi është, por për shkak të kushteve dhe rrethanave sivjet të pandemisë, të jem transparente kështu me të gjithë gazetarët dhe të pranishmit, buxhetet tona janë marrë një pjesë e madhe për shkak të pandemisë themi nuk kemi arritur që të fillojmë me punimet”.
“Unë konsideroj si ministre dhe si bartëse e këtij institucioni që sa më parë duhet të fillohet me stadiumin nacional i cili është i domosdoshëm sepse tani jemi edhe pjesë e UEFA dhe FIFA-s… Përndryshe e kemi paraparë për vitin 2021 rritjen e stadiumit të Prishtinës këtu në Prishtinë për shikues dhe besoj dhe uroj që kjo të fillojë sa më parë”, theksoi Dumoshi.