Site icon Telegrafi

Dumoshi e pranon detyrën si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot e ka pranuar zyrtarisht këtë detyrë nga ministri i deritanishëm, Kujtim Gashi.

Me këtë Gashi ka kujtuar se këtë post që sot po e dorëzon e ka pranuar para dy viteve nga Dumoshi, e cila atë kohë ishte ministre në detyrë e këtij dikasteri.

Ai deklaroi se ardhja e Dumoshit në krye të kësaj ministrie është lajm i mirë për komunitetin kulturor dhe sportiv dhe se gjatë mandatit të tij buxheti i kësaj ministre është rritur për gati 100 për qind.

“Jam zakonisht i lumtur që në krye të kësaj ministrie vjen po ashtu një figurë shumë e respektuar e Prishtinës që ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për zhvillimin e kulturës edhe sa ka qenë drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe po ashtu ministre për ato pak muaj. Dhe natyrisht është një lajm i mirë për komunitetin që mbulon Ministria e Kulturës dhe sot nuk mund të ketë eksperiment me këtë ministri për faktin se vjen një njeri që e njeh këtë fushë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që punët e mira që kanë filluar do vazhdojnë edhe nga ministrja Dumoshi”, tha Gashi.

Ish-ministri i MKRS-së, tha se është mirë që nuk është ndarë Ministria e Kulturës ashtu siç u përfol.

“Besoj është bërë një veprim i mirë sepse komuniteti ka qenë i shqetësuar a do ndahet ministria, po më vjen mirë që më në fund dhe e kemi ashtu siç e ka kërkuar edhe komuniteti dhe e vlerësoj këtë veprim”, u shpreh ai.

Kurse, ministrja e sapo zgjedhur, Vlora Dumoshi siguroi komunitetin kulturor dhe sportiv se do jetë afër tyre me punën e saj.

“Të uroj për punën që e ke bërë unë i siguroi të gjithë komunitetin kulturor, sportiv dhe rinor që do punoj dhe vazhdimësia ime edhe e ministrave të mëparshëm si të Kujtim Shalës dhe Kujtim Gashit dhe e gjithë puna ime do jetë shumë e afërt me këto komunitete”, tha Dumoshi.

Vlora Dumoshi u zgjodh ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të hënën në seancën për formimin e Qeverisë. /KP/

Exit mobile version