Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca e radhës e megaprocesit “Plumbi i Artë”. Gjatë kësaj seance, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka vijuar dhënien e përgjigjeve për pyetjet e drejtuara nga avokatëve e të pandehurve.
Dumani ka përshkruar detaje të reja lidhur me njohjen dhe bashkëpunimin e tij me individë të njohur në botën e krimit, përfshirë Talo Çelën dhe Erion Alibeajn. Ai ka sqaruar gjithashtu se si është informuar miku i tij Fatmir Troplini, në lidhje me planet që Talo Çela po bënte për eliminimin fizik të tij.
Dumani rrëfeu dhe vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Ai tha se një nga makinat që u përdor për vrasjen e Bujar Çelës, një Renault, u mor nga njerëzit e Vis Martinit. Sipas tij, ky automjet ishte planifikuar fillimisht për t’u përdorur në vrasjen e Preng Gjinit, por pasi ky atentat nuk u realizua, automjeti u përdor për ekzekutimin e Bujar Çelës.
“Talo Çela më ka thënë në Sky, hajde takohemi dhe sqarohuni, sepse unë do t’i vras të gjithë. Ka audio dhe voice në Sky, ku ai më ktheu përgjigje nga celulari i Elio Bitrit, se kishte probleme me të shkuarën.”
Ai ka theksuar se vrasjen e vëllait të Talo Çelës e ka kryer pa pagesë, por për hakmarrje për vrasjen e Klevis Kapllanit.
“Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje pasi u vra Klevis Kapllani. Paratë për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë me një makinë, i ka paguar Erjon Alibej,” tha ai.
Gjithashtu, Dumani ka treguar se Talo Çela kishte urdhëruar Altin Ndocin të vriste vëllanë e tij.
Kur është pyetur nga avokatët lidhur me bisedat e tij me Enver Divën, Dumani ka sqaruar: “Flisnim për vrasje me pagesë, jo për politikë.”