Pas ish-deputetes shqiptare, Mesila Doda, ka reaguar edhe anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike në Shqipëri, Grida Duma.
Përmes një shkrimi në Facebook, Duma ka folur ashpër ndaj marrëveshjes për Mini-Schengenin Ballkanik.
Duma, e ka konsideruar të nxituar dhe të gabuar, ndërsa ka hedhur akuza për mungesë përgjegjësie ndaj kryeministri Rama.
Ajo ka thënë se qeveria e Shqipërisë në krye me Edi Ramën, po i bën dëm Kosovës.
“Mini-Schengenin po krijon polarizim dhe ndarje të mëdha mes Shqipërisë dhe Kosovës, një përçarje që, sipas saj, nuk ka qenë në këto përmasa që nga rënia e komunizmit”, ka thënë ish deputetja shqiptare.
Më tej thotë se asnjëherë nuk do të duhej që në Tiranë të parakalonin politikanët e Beogradit.
“Aq më tepër kur Vuçiqi ishte pjesë e qeverisë së Millosheviqit që dëboi një milion shqiptarë vetëm sepse quheshin shqiptarë, që shfarosi, përdhunoi dhe masakroi me forcën e armëve. Të gjitha këto krime sot Vuçiqi i mohon, dhe Tirana bën sikur i harron”, thekson ajo.
Duma ka pyetur se si janë ndier nënat shqiptare në Kosovë kur në mes të Tiranës ecën me arrogancë dhe triumfalizëm mohuesi i masakrës së Reçakut.
“Na duhet të pyesim: si janë ndier nënat shqiptare në Kosovë kur në mes të Tiranës ecën me arrogancë dhe triumfalizëm mohuesi i masakrës së Reçakut? Mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të reflektojë mirë, përpara se të bëjë çfarëdolloj hapi tjetër që dëmton qoftë edhe një centimetër të Kosovës, qoftë edhe një grimë të dinjitetit dhe ndjenjave të saj”, ka shkruar mes tjerash anëtarja e Kryesisë së PD-së, Grida Duma.
Ish-deputetja e PD-së, ka postuar edhe disa fotografi të disa prej ngjarjeve të historisë së re të Kosovës. /Telegrafi/