Partia Demokratike (PD) ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin, duke cituar si provë arratinë e Klement Balilit, i konsideruar nga autoritetet greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Në një deklaratë për mediat, sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka akuzuar gjithashtu qeverinë për standarde të dyfishta në aplikimin e ligjit.
“Me Edi Ramën, Klement Balili është i lirë. Po me Edi Ramën, një i ri 22-vjeçar, Estref Halili, i arrestuar nga policia, sipas familjarëve të tij me 3 gramë hashash, trajtohet pa mëshirë dhe shtyhet drejt vetëvrasjes në qeli. Këto janë dy standardet e Edi Ramës”, ka deklaruar Duma.
Në emër të Partisë Demokratike, Duma i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjitha procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve në rastin e 22-vjeçarit Halili. “Të hetojë e të nxjerrë para ligjit përgjegjësit”, ka shtuar Duma. /Telegrafi/