Sekretarja e marrëdhënieve me publikun në PD, Grida Duma ka akuzuar këtë të martë kryeministrin Rama se, “u ka dhënë klientëve të tij 8.8 milionë euro pa tender dhe pa garë”.
“Kjo është goditja e radhës e Edi Ramës, që ka vendosur të ndajë këtë shumë marramendëse me oligarkët e tij, për mirëmbajtjen e rrjetit digjital të Radio Televizionit Shqiptar”, ka deklaruar Duma.
Sipas saj, “mazhoranca në Këshillin Drejtues të RTSH, nën urdhrat e Edi Ramës, miratoi javën që kaloi këtë kontratë të dyshimtë, me vlerë 8.8 milionë euro”.
“Kontrata, e cila i është paraqitur Këshillit Drejtues që në muajin gusht të vitit 2015, paracakton si përfituese kompaninë IDEA-Tel, një firmë e afërt me ministra e deputetë të maxhorancës aktuale”, tha Duma.
Sipas saj, me gjithë debatet dhe kundërshtimet në Këshill dhe kërkesën e shumë anëtarëve për organizimin e një tenderi të hapur dhe konkurrues, “gjithçka ka qënë e kotë pasi Edi Rama e kishte vendosur t’i ndante me klientin e tij 8.8 milionë eurot”.
“8.8 milionë euro, paratë e shqiptarëve, do të jepen për këtë kompani, edhe pse rrjeti digjital ende nuk është ndërtuar. Pra, përpara se të ndërtohet rrjeti, Edi Rama ka menduar të ndajë plaçkën me atë që do ta mirëmbaje”, ka thënë Duma.
Ajo ka nënvizuar se, e gjitha kjo ndodh në një kohë kur gjysma e popullit, “46.2 për qind e familjeve, jetojnë me 5 dollarë në ditë, duke përfunduar në varfëri të plotë, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore”.
“8.8 milionë euro me një dorë për mikun e tij, teksa ka ulur ndihmën sociale e ka rritur papunësinë. Ky është sundimi i oligarkisë, ku populli varfërohet çdo ditë, ndërsa Edi Rama me klientët e tij shtojnë milionat, shtojnë llogaritë në parajsat fiskale”, ka thënë Grida Duma. /Telegrafi/