Është pranvera e vitit 2013. Pritjet e pambarimta për një vend më të mirë, janë këputur nga dallgët e aktualitetit (siç ndodhë gjithmonë). Këto pritje edhe ashtu të stërzgjatura, duket sikur humbën duke i lëshuar vend përmbytjeve që shkaktojnë problemet “jetike” shtetërore. Pra, duke harruar që jemi në pritje (në kërkim) të një vendi më të mirë, ne kemi vënë vëmendjen tonë tek një procesualitet fiksional.
Kështu, rrjedhojat e zgjatimeve të pritjes që zakonisht janë revoltat, harrohen. Kujtohet i gjithë ndërtimi fiskional i problematikave dhe dëshirohet (emocionalisht) tejzgjatja e tyre.
Kujtoj se të gjithë bashkë-endësit e kohës së mëhershme (kur konsideroheshin me të drejtë të pushtuar), do ta kishin pranuar, që mësymja kryesore e tyre, ishte mirësimi i vendit ku jetonin. Pengesë thelbësore ishte mos realizimi i plotë i lirisë. Kështu, fillimisht u realizuan dhjetëra protesta (që shënjonin revoltën kundër gjendjes, përmbytjen e pritjes), e më pas, u realizua një luftë e armatosur, për të mëvetësuar vendin tonë, nga vendi pushtues, me të cilin do të fqinjëronim vështirësisht në vitet e ardhme.
Që prej 14 vitesh, kemi realizuar “lirinë” e shumëdëshiruar kombëtare. Kemi arritur të ngrehim flamujt tanë, në institucionet tona; të përdornim gjuhën tonë në shkollat tona; të ri shkruanim historinë tonë, e të tjera gjëra që do ta përforconin rolin tonë vetëvendosës. Këtu mund të shtoj një fjali që përsëriste gjyshja ime, sa herë që përflitej koha e rënduar e “para-luftës”: “Mjafton që flamuri ynë të valëvitet lirshëm”.
Kam menduar disa herë, për imanencën e kësaj fjalie, por s’besoj t’a kem kapur. Çfarë mund të shënjojë flamuri dhe çfarë lirshmërie e valëvitjes së tij. Kam menduar edhe për analogjinë me vendësin, i cili ngarend lirshëm, por megjithatë e kam mohuar, duke mos dalë nga rrethoja hipotetike. Sidoqoftë, nëse merret ashtu siç është, çfarë i duhet flamurit valëvitja në qarkun e përcaktuar nga shtiza, ose në rastin tjetër, çfarë i duhet vendësit ngarendja, në qarkun e tij përkatës, në vend?!
Mbase flamuri duhet të valëvitet, për t’u treguar interesi i një kombi – liria. Dhe, vendësi duhet të sillet në vend, për t’u treguar interesi i tij: vetëvendosja (pushteti mbi territorin e tij). Por, mua më duket që njerëzit e kësaj kohe e duan vetëvendosjen, më shumë sesa vendin. Të jesh sundues i vendit tënd, nënkupton t’i besosh vetvetes në arritjen e të mirave për vendin. Nuk do të thotë ta bësh sundimin, qëllim më vete. Kur them që duam vetëvendosjen, më shumë sesa vendin, kam në mendje ngushtësinë e interesave tona.
Pra, janë dy gjëra që përmbysin mundësitë që pritja t’i realizojë suksesshëm revoltat. Është: ngushtësia e interesave tona, që të përcjella në sfondin historik, tregojnë ngushtësinë tonë ndër-kombëtare. Këto dy gjëra, formojnë: egoistë dhe racistë!
Interesat tona, duke mos u shtrirë në një shtrat të gjerë, përmblidhen nënshtretërit e tyre të ngushtë dhe kështu fryhen në përmasa të mëdha, duke shkaktuar dehjen emocionale. Të këtillë janë egoistët dhe racistët – të dehur emocionalisht. Të këtillë jemi ne, shqiptarët e sotëm.
Kjo pranverë, i gjenë bashkëvendësit e mi, në këtë gjendje. Dhe vendin, të qeverisur nga këta bashkëvendës të dehur dhe nga miqtë “ndihmues”. Natyrisht, është e rrezikshme që një i dehur ta drejtojë i vetëm makinën. Miqtë na drejtuan kah përmirësimi i fqinjërimit me ish-pushtuesit. Ky përmirësim, sipas tyre, tregonte që ne kishim filluar procesin e shpirjes.
Por, a kishim harruar vuajtjet e shkaktuara nga ish-pushtuesit, ne vendësit e këtij Vendi? Kur them vendësit, mendoj në gratë e përdhunuara, familjet e të vrarëve, e të zhdukurve, e të burgosurve. Madje, mendoj edhe të gjithë ata që jetuan në epokën kur liria nuk realizohej nga frustrimet raciste të pushtuesve.
Ka një shpjegim të atyre që për të mbrojtur egoizmin e tyre, mbrojnë këtë pajtueshmëri. Thuhet që kjo pajtueshmëri, bëhet për hir të së ardhmes regjionale të vendit tonë. Por, si mund të arrihet një e ardhme e mirë, pa një respektim të së kaluarës? Si mund të korrim prodhimet e një të mbjelle të sharë, të fyer? Nëse thjesht, mund t’i korrim, atëherë duhet ta pranojmë që këto sharje, pamundësojnë pikëmbështetjen morale. Dhe kjo, detyrimisht shpie në një mos realizim të vullnetit të vendësve. Por, në dy realizime tjera. Të vullnetit egoist të pushtetmbajtësve, dhe të misionit për drejtim-mbajtje të miqve tanë “ndihmues”.
Këtu kuptojmë që zgjatimet e pritjeve tona për një vend më të mirë, prodhohen në këto dy fabrika interesash, të cilat vendosin prosperitetin përpara mirëqenies. Këto pritje, që duke u zgjatur duhej të revoltonin çdonjërin prej nesh, përhumben si të këtilla pikërisht prej problemeve që marrin rëndësinë nga vendësit e pushtetshëm dhe miqtë “ndihmues”.
Historikisht pritjet për një vend më të mirë, janë përzënë nga pritje të tjera. Kemi qenë në pritje të lirisë, pavarësisë, pajtimeve e Godosë. Sot, të gjithë duhet të themi njëzëri: tashmë presim një vend më të mirë! Pritjet tona duhet të riorientohen.