Site icon Telegrafi

Duke kujtuar Chaplinin!

Më 25 dhjetor 1977 ndërroi jetë në Zvicër aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

“Ai nuk ishte një yll Hollivudi”, thotë ekspertja amerikane e Chaplinit, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollivudi nuk ekzistonte”

Mustaqe të zeza, kapela, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Chaplinit, këto që nuk i harron askush. “Endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollivud. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplinit u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për “Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por, nuk i preferonte filmat me zë. E përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e tij.

Charlie Chaplin u martua gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpeshherë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër.

Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët, Chaplin ia doli me sukses. Më vonë është shprehur se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj, “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Në veprën e mëvonshme “Projektorët”, ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje-ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë kur Chaplin përçmohej në ShBA. Atë e akuzonin atje se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në ShBA.

Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Chaplin rivuri në skenë në Evropë në 1967 filmin “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë, Sophia Loren dhe Marlon Brando, pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë u kthye shkurt në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave, ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me filmat e tij, e njohin endacakun.

“Ai nuk ishte një yll Hollivudi”, thotë ekspertja Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollivudi nuk ekzistonte”.

Edhe sot mund të thuash që Charlie Chaplin është shumë më tepër sesa një aktor. Ai është një legjendë. /Top Channel/

Exit mobile version