Site icon Telegrafi

Duke folur për situatën në Ukrainë, Zinchenko qau në lot para gazetarëve: Fëmijët tanë ëndërrojnë që lufta të përfundojë

Futbollisti i Manchester Cityt, Oleksandr Zinchenko e ka të vështirë të përballojë pushtimin rus të Ukrainës, ku sot në konferencë për shtyp qau në lot dhe tha se secili nga bashkëqytetarët e tij ka vetëm një dëshirë – të ndalet lufta.

Zinchenko ka shfrytëzuar çdo mundësi edhe më parë për t’i vënë në dukje botës vrasjen e qytetarëve të pafajshëm të Ukrainës dhe duke qenë se nuk mund të kthehet në atdheun e tij për shkak të ndeshjeve të futbollit, shpesh herë ka reaguar shumë emocionalisht në publik.

Në një konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Skocisë, e cila do të luhet nesër në kuadër të play-off-it të Kupës së Botës, Zinchenko ka thënë se fëmijët nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se është gjëja më e vështirë për ta.

“Çdo ukrainas dëshiron vetëm një gjë – të ndalojë luftën. Kam biseduar me fëmijë që nuk kuptojnë se çfarë po ndodh, dhe ata gjithashtu ëndërrojnë për ditën kur lufta do të përfundojë”.

“Përveç kësaj, çdo ukrainas ka një ëndërr tjetër, dhe ajo është për të fituar kampionatin botëror”, ka thënë Zinchenko ku pas fjalëve emocionet e pushtuan.

 

Ndeshja mes Skocisë dhe Ukrainës do të luhet në Hampden Park të Glasgout me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/

Exit mobile version