Site icon Telegrafi

Dukati i Vlorës drejt shpopullimit, dikur me 350 familje, sot vetëm 200 banorë

Ndër breza, fshati Dukat në Vlorë njihet për bujarin e mikpritjen, traditat dhe shpesh i përmendur në ngjarje të rëndësishme historike.

Por edhe ky fshat me lavdi të madhe e që dikur banohej nga rreth 350 familje nuk i ka shpëtuar fenomenit të shpopullimit që ka prekur shumë zona të vendit, vitet e fundit.

Sot në këtë fshat qetësia mbizotëron, zërat e vetëm që dëgjohen tek tuk, janë ato të të moshuarve që merren me blegtori dhe ndihmohen nga fëmijët në emigracion.

“S’ka gjallëri, tani as qahet as këndohet, e hidhur është largimi po nuk vijnë, kemi mall të shikojmë, kemi mall”, thotë një banor.

“Vetëm ne kemi ngelur pak të rinj, më të shumtit kanë ikur, janë larguar me emigrim. Papunësia, gjendja ekonomike, kanë ngelur vetëm pleq. Po, e kam menduar dhe do largohem se nuk shtyhet më kështu, është gjendje e mjerueshme mund të them”, shprehet një tjetër.

Shkolla e Dukatit, ku më parë kanë qenë të regjistruar rreth 300 nxënës, sot është e mbyllur. Prej 7 vitesh dera e shkollës nuk hapet pasi nuk ka nxënës. Dikur e mbushur me fëmijë, sot në oborrin e shkollës së Dukatit kullosin bagëtitë.

Para viteve 90’ në Dukat banonin rreth 1500 banorë, ndërsa sot fshati nuk ka më shumë se 200 banorë. Të rinjtë janë larguar në emigrim për shkak të kushteve të vështira dhe papunësisë së lartë.

Exit mobile version