Site icon Telegrafi

“Dukagjini” do të promovojë në Tiranë librin “Ciceroni shqiptar i Hitlerit” nga Bashmir Xhemaj

Panairi i 27-të i Librit në Tiranë po afrohet. Ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila do të sjellë rreth 35 tituj të rinj për këtë panair.

Përveç titujve të rinj, në këtë panair, “Dukagjini” vjen edhe me disa promovime librash.

Për të gjithë ju dashamirë të librit, veçanërisht të biografive historike,“Dukagjini” ka njoftuar se më 14 nëntor, ditën enjte, në orën 14:00, në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, do të mbajë promovimin e librit “CICERONI SHQIPTAR I HITLERIT: HISTORIA E PRISHTINASIT ILJAZ BAZNA (CICERO)” nga autori Bashmir Xhemaj. Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

Bashmir Xhemaj – autori i librit;

Erald Kapri – studiues, gazetar dhe

Bejtullah Destani – studiues, diplomat.

Promovimin do ta udhëheqë Fatjon Zekaj nga shtëpia botuese “Dukagjini”.

Rreth librit:

“Ciceroni shqiptar i Hitlerit” përshkruan rrugëtimin e Iljaz Baznës, prishtinasit të emigruar në Turqi, si njëri nga spiunët më të rrezikshëm të asaj kohe. Bazna, i cili ishte një shërbëtor i thjeshtë që punonte në Ambasadën Britanike, shumë shpejt u bë i famshëm me emër-kodin CICERO, i cili arriti të siguronte dokumente top-sekret dhe t’ua shiste gjermanëve. Madje, ai zbuloi edhe detaje të operacionit të famshëm “D-DAY”, por, fatmirësisht, Hitleri nuk u besoi dokumenteve të ardhura nga Ankaraja.

Në këtë libër biografik, autori Xhemaj na zbulon edhe informacione ekskluzive të rëndësishme për Ciceron, duke e paraqitur pa mitizime e paragjykime, çka e bën librin një risi të këndshme për lexuesin shqiptar.

Rreth autorit:

Bashmir Xhemaj është studiues. Ka punuar gjatë si gazetar. Është autor i librit “Një shqiptar në CIA”. Ka diplomuar në Shkenca Politike dhe Komunikim Politik.

 

Exit mobile version