Telegrafi

“Dukagjini” sjell librin “Metafizika e seksit” nga Julius Evola, ekskluzivisht për Panairin e Librit në Prishtinë

Me një gamë të gjerë titujsh të rinj, shtëpia botuese “Dukagjini” është prezantuar në Panairin e 24-të të Librit në Prishtinë, i cili çeli dyert dje për të vazhduar deri më 9 qershor. 

Me botime ekskluzive për këtë panair, “Dukagjini” vazhdon ta pasurojë kolanën e saj “Fryma”, kolanë kjo që përfshin vepra të autorëve vendës dhe të huaj, përkthime të eminentëve të fushave dhe studimeve sociale e humanistike. E dëshmuar në cilësi dhe kontributdhënie në raport me lexuesit shqiptarë ndër kohë, kolana u rikthye më 2023 me librin e Jurgen Habermas: “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”. Pastaj, u ndoq nga “Karizma: Mikrosociologjia e pushtetit dhe e ndikimit” e Randall Collins, e cila gjendet për herë të parë në Panairin në Prishtinë.  

Ndërsa botimi më i ri, ekskluziv për këtë Panair, vjen “Metafizika e seksit”, nga Julius Evola. 

Në veprën monumentale të tij, “Metafizika e Seksit”, Evola e trajton seksin nga një perspektivë unike, e cila formësohet nga një ndërthurje mjeshtërore e filozofisë me dijet shkencore e historike, mitologjinë dhe me traditat e ndryshme ezoterike, spiritualiste, mistike e simbologjike. E rrallë është jo vetëm perspektiva e tij, por edhe guximi që t’i qaset temës së seksit në mënyrë të padëgjuar dhe antikonformiste, duke insistuar në parimin metafizik të dallimit ontologjik të femrës me mashkullin. Ky dallim ontologjik, që jehon format ideale platonike të qenies, empirikisht ka kufij të lëvizshëm, të cilët shkrihen pas bashkimit të çiftit, duke krijuar formën e unisuar të qenies njerëzore. 

Libri është përkthyer nga Adrian Beshaj dhe shoqërohet nga një parathënie e Fausto Antoninit. Atë mund ta gjeni në stendën “Dukagjini” në Panairin e Librit në Prishtinë, deri më 9 qershor.