Të dielën në ora 19:00, RTV Dukagjini për herë të parë do të përdor një metodë të re për të parashikuar fituesin e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës.
Analisti Armend Muja në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka treguar mekanizimin se si do të nxirren rezultatet e zgjedhjeve.
Ai ka thënë se matjet e opinionit publik kanë ndryshuar nga viti në vit. Sipas tij të gjitha exit-polls kanë dështuar në parashikimin e BREXIT dhe zgjedhjeve të fundit në SHBA, përcjell Telegrafi.
“Për këtë arsye në dy vitet e fundit kanë evoluar matjet e opinionit publik. Pra maten sondazhet, por duhet të komplimentohen me analizë të sentimenteve, e cila mund të kuantifikohet duke përdoruar teknologjinë informative”, tha ai.
Muja ka thënë se matjet do të bëhen nga tri-katër burime ku do të krijohet si po orientohet opinioni publik.
“E para duhet të matet shkalla e organizimit të partive politike që janë numrat e tyre në terren. E dyta është se duhet të maten mesataret e sondazheve. Ka pasur edhe sondazhe për të manipuluar opinionin publik. Për këtë arsye ne do t’i përdorim vetëm ato kredibile. E treta, ne do t’i matim sjelljet e votuesve në rrjetet e kërkimit dhe e në fund analiza demokrafike”.
Muja thotë se në bazën e këtyre katër parametrave do të përafrohen rezultatet e zgjedhjeve.
“Përafrimi nuk është gjithmonë i saktë, por ne përmes këtyre trendëve do ta përcaktojmë edhe fituesin. Fituesin mund ta përcaktojmë edhe 2-3 ditë para zgjedhjeve”, tha Muja./Telegrafi/