Telegrafi

Dukagjini mposhtet minimalisht në shtëpi ndaj Rijeka

Dukagjini ka humbur nga Rijeka me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Ndeshja e parë e raundit të dytë e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk ka sjell fat për klubin klinas, i cili është mposhtur nga gjiganti kroat.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Rijekës, e cila përveç rasteve të shumta arriti ta shënoj edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 30-të me anë të Niko Jankovic, i cili shënoi një supergol për 0-1.

Në pjesën e dytë, Dukagjini rriti paksa lojën, por përsëri mysafirët ishin skuadër më e mirë dhe më kërkuese për golin.

Megjithatë, gjithçka iu vështirësua në minutën e 62-të kur kapiteni Altin Merlaku mori edhe kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 lojtarë.

Deri në fund të ndeshjes, Rijeka pati dy mundësi shënimi të cilat nuk i konkretizoi, ndërsa në minutën e fundit të ndeshjes, edhe trajneri Armend Dallku u ndëshkua me të kuq dhe ndeshja u mbyll me humbjen e Dukagjinit 0-1.

Ndeshja kthyese pritet të zhvillohet në “HNK Rijeka Stadium Rujevica” me 3 gusht. /Telegrafi/