Telegrafi

Dukagjini me nënstacionin më modern elektrik

Të martën me 17 nëntor 2009, në afërsi të Istogut, në praninë e delegacionit të lartë të Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Gjermane dhe akterëve kyç vendorë dhe ndërkombëtarë të sektorit të energjisë, u bë inaugurimi i Nënstacionit 400/110/10.5 kV Peja 3.

Kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaçi, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë z.Hans Dieter Steinbach dhe Drejtori Menaxhues i KOSTT z.Fadil Ismajli shoqëruar dhe nga Ministrja e Energjisë dhe Minierave znj.Justina Shiroka-Pula, kanë prerë shiritin e kuq në hyrje të Ndërtesës Komanduese të Nënstacionit Peja 3, prej ku Kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaçi edhe solemnisht ka energjizuar (vënë në punë) Nënstacionin PEJA 3.

Implementimi i Paket Projektit Peja 3 ka filluar me 7 Nëntor 2008, kur është vënë gurthemeli i Nënstacionit dhe saktësisht pas një viti është kompletuar në afatin e parashikuar nga kontraktuesi/konsorciumi SIEMENS (Vjenë)/UMEL Dalekovodmontaza (Tuzlla) që ka implementuar projektin e ndërtimit të Nënstacionit Peja 3 dhe linjave të reja ndërlidhëse të tensionit 400 kV dhe 110 kV.

Vlera e Paket Projektit Peja 3 është 23.3 milion Euro, prej të cilave 12.3 milion € financohen në formë granti nga nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim (KfW) dhe 11 milion € financohen në formë granti nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërkaq Komuna e Istogut ka ndarë truallin prej 6 hektarëve për ndërtimin e Nënstacionit Peja 3.

Me implementimin e këtij projekti, dëshmohet përkushtimi i KOSTT për të avancuar dhe zhvilluar sistemin e transmisionit të Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve transmetuese dhe me këtë përmirësimin e kualitetit të furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit për qytetarët e vendit.

Kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaqi, gjatë fjalimit të mbajtur në Nënstacionin Peja 3 theksoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ketë në vëmendje të veçantë sektorin elektroenergjetik e sidomos sistemin e bartjes”.
Ndërkaq Drejtori Menaxhues i KOSTT z.Fadil Ismajli ka cilësuar se “Kjo njëherit është edhe sinjal i qartë për investitorët potencialë, që në Kosovë do të gjejnë një transmision i cili do të akomodon kërkesat e tyre dhe garanton një qasje të barabartë për të gjithë në rrjetin e transmisionit.”

Që nga sot, kapacitetet transmetuese të energjisë elektrike të vendit tonë nga 930 MW rriten në 1200 MW, ndërkaq kualiteti i energjisë elektrike me të cilën furnizohen qytetarët e Rajonit të Dukagjinit dhe Kosovës Qendrore do të jetë më kualitativ dhe do të mundësojë kushte për zhvillimin industrial dhe ekonomik të kësaj pjese të vendit tonë.

Përfitimi vjetor nga ky projekt vlerësohet të jetë rreth 5.6 milionë Euro, ndërkaq siç theksoi drejtori mensaxhues i KOSTT z.Fadil Ismajli, “përfitimet gjithashtu do të jenë të ndjeshme edhe në aspektin rajonal sepse Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës tani do të shfaqet si nyje edhe më stabile e më e sigurtë për regjionin”./telegrafi/