Telegrafi

Duka nderohet me titullin ‘Dr. Honoris Causa’, Ademi e Sejdini ishin të pranishëm në ceremoni

(Foto: ffk-kosova.com)

Tre presidentët e federatave të futbollit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Armand Duka, Agim Ademi dhe Muhamed Sejdini, janë bërë sërish bashkë.

Shkas për këtë është bërë manifestimi për nderimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me titullin ‘Dr. Honoris Causa’ në Tiranë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura sportive, shoqërore e politike nga viset e ndryshme shqiptare, thuhet në faqen e FFK-së.

Ndërkohë, më pas presidenti i FSHF-së ka shtruar darkë për dy homologët dhe miqtë e tij, Agim Ademi e Muhamed Sejdini, ku është biseduar për projektet e përbashkëta si dhe për mundësinë e aplikimit sa më të shpejtë të teknologjisë VAR në futbollin e tri vendeve tona, që vlerësohet si tejet i nevojshëm për progres të mëtutjeshëm, tani kur cilësia e ligave është rritur.

Po ashtu, Ademi e Duka i uruan Sejdinit sukses në ndeshjen finale të ‘play-offit’ për Kampionatin Evropian kundër Gjeorgjisë.